Detaje nga operacioni që çoi në ndalimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve komunal në Gjakovë

Katër persona janë arrestuar në Gjakovë nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Burime të TV Syri bëjnë me dije se të ndaluarit janë:

  • Arben Bakalli, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës
  • Afërdita Lama, ish-Drejtoreshë e Kadastrës, tashmë në pension
  • Elida Bejtullahu, urbaniste
  • Arianit Kupa, zyrtar komunal

Ndalimi i tyre është bërë me vendim të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, ndërsa dyshimet lidhen me procedura të kundërligjshme brenda institucioneve komunale. Arrestimet janë rezultat i një operacioni të zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me prokurorin e rastit.

Më poshtë njoftimi i plotë:


Arrestohen katër persona të dyshuar, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’

Prishtinë, më 23 korrik 2025

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – DHKEK, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prizren, ka ndërmarrë veprime hetimore sipas autorizimit të prokurorit të shtetit, mbi dyshimet se zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Gjakovë, kanë mundësuar kundërligjshëm bartjen e pronave në pronësi të personave të tretë.

Pas një mori veprimesh hetimore, të kryera në koordinim me prokurorin e shtetit, janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se katër të dyshuar (dy meshkuj dhe dy femra) nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Gjakovës, dyshohet se me veprimet e tyre në vitet 2018 dhe 2019, kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë.

Personat e dyshuar janë intervistuar në prezencën e mbrojtësve të tyre, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe me aktvendim të prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë. /tvsyrivision/

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Katër persona ndalohen në Gjakovë për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Read Next

Ka ndërruar jetë trajneri Avdyl Osmani, një nga themeluesit e Bridge Divers