Izraeli ka vendosur të dërgojë një delegacion në Katar të dielën për bisedime indirekte me Hamasin në lidhje me propozimin më të fundit për një armëpushim në Gazë dhe një marrëveshje për çlirimin e pengjeve.
Zyra e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se ai kishte pranuar ftesën, megjithëse i përshkroi si të papranueshme ndryshimet që Hamas kërkonte të bënte në një plan të paraqitur nga ndërmjetësuesit nga Katari, SHBA dhe Egjipti.
Mbrëmjen e së premtes, Hamasi tha se kishte dhënë një “përgjigje pozitive” ndaj propozimit për një armëpushim 60-ditor dhe se ishte gati për bisedime.
Megjithatë, një zyrtar palestinez tha se grupi kishte kërkuar ndryshime përfshirë një garanci që nuk do t’u ktheheshin luftimeve nëse bisedimet për një armëpushim të përhershëm dështojnë.
Në Gazë, vetë Agjencia e Mbrojtjes Civile e drejtuar nga Hamasi tha se sulmet ajrore dhe të shtënat izraelite vranë të paktën 35 palestinezë të shtunën.
Shtatë persona u vranë, përfshirë një mjek dhe tre fëmijët e tij, kur tendat në zonën e al-Mawasi u bombarduan, sipas një spitali në qytetin e afërt të Khan Younis.
Ndërkohë, dy punonjës amerikanë të organizatës së kontestuar të shpërndarjes së ndihmave, që mbështetet nga Izraeli dhe SHBA – Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) – u plagosën në atë që ata e përshkruan si një sulm me granatë në vendin e tyre në zonën e Khan Younis.
Qeveritë e Izraelit dhe SHBA-së i hodhën fajin Hamasit, i cili nuk ka dhënë asnjë koment deri tani./koha.net