Lidhja Demokratike kanë thënë se në tri vazhdimet e fundit të seancës së Kuvendit janë bërë shkelje kushtetuese në kundërshtim me aktgjykimin e fundit të Kushtetueses.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se grupi parlamentar i kësaj partie do t’i drejtohet sot me pyetje Gjykatës Kushtetuese.
Haziri tha mbrëmë në Klan Kosova se pyetja e LDK-së për Kushtetuesen do të jetë se a ka të drejtë kryesuesi i kuvendit, deputeti më i vjetër, Avni Dehari, që të vazhdojë t’i ftojë deputetët që ta zgjedhin komisionin për votimin e fshehtë.
“Ne prapë kemi me dërgu nesër, grupi i deputetëve të LDK-së e ka përgatitur draftin në Gjykatë Kushtetuese ku do të kërkojë shpjegim dhe vlerësim të Kushtetueses në lidhje me çështjen, sepse ne po ftohemi që të votojmë për një komision ad-hoc i cili në procedurë e sipër, kryesuesi fton pa të drejtë”.
“Ne do t’i drejtohemi në këtë frymë të vendimit që e ka sjellur, se a ka të drejtë kryesuesi të vazhdojë që t’i ftojë deputetët që të zgjedhin komision ad-hoc për votim të fshehtë. Është eksplicit në kërkesë”, tha Haziri mbrëmë.
Kushtetueses ka paralajmëruar se do t’i drejtohet edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se PDK-ja do të dorëzojë një rast të ri në Kushtetuese në lidhje me shkeljet në seancë, që kreu i PDK-së e quajti të qëllimshme nga ana e VV-së.
“Pasi kanë ndodhur tri shkelje në tri seanca me radhë, në kundërshtim me aktgjykimin e Kushtetueses, sot, gjatë ditës PDK do të dorëzojë në Kushtetuese një rast të ri, për të cilin shpresojmë se do ta trajtojmë me urgjencën e nevojshme, meqenëse tashmë i kemi vetëm 23 ditë në përmbyllje të afatit të Kushtetueses”, tha Krasniqi të enjten para mediave.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten e kaluar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi./reporteri/