Presidentja Osmani priti në takim ministren e Mbrojtjes së Luksemburgut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren e Mbrojtjes të Dukatit të Madh të Luksemburgut, znj. Yuriko Backes.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e Forcave të Armatosura të Luksemburgut në kuadër të misionit të KFOR-it, duke vlerësuar lart përkushtimin e këtij vendi në promovimin e paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin.

Po ashtu, Presidentja ritheksoi mirënjohjen për mbështetjen e Luksemburgut ndaj Zyrës së Presidentes në përmbushjen e objektivave të përbashkëta strategjike, si dhe për iniciativat e Presidentes në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.

Presidentja theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut, si komponent thelbësor për forcimin e sigurisë rajonale dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta.

Ajo gjithashtu vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut përmes projekteve zhvillimore në Kosovë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë strategjike të përkrahjes së mëtejshme nga Luksemburgu për procesin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare, duke theksuar vlerat e përbashkëta demokratike dhe rolin që luan Kosova si një faktor i qëndrueshëm i stabilitetit në rajon.

Read Previous

​Temperaturat e larta, Ministria e Shëndetësisë rekomandon masa mbrojtëse për punëtorët

Read Next

Superinteligjenca mjekësore? Microsoft teston AI që mund mjekët në diagnoza