Kompania xAI ka mbledhur 10 miliardë dollarë investime për projekte të ndryshme.
Startup-i i inteligjencës artificiale i Elon Musk, xAI, ka mbledhur gjithsej 10 miliardë dollarë fonde përmes një kombinimi të borxhit dhe kapitalit, tha Morgan Stanley, transmeton Telegrafi.
Nga shuma, 5 miliardë dollarë u siguruan përmes borxhit (obligacione dhe kredi), ndërsa pjesa tjetër erdhi nga investime strategjike në kapital.
Banka thotë se oferta e borxhit ishte shumë e kërkuar dhe se institucione të shquara financiare globale ishin midis investitorëve në xAI.
Kjo shumë rekord do të përdoret për të zhvilluar superkompjuterin Colossus, për të përmirësuar chatbot-in Grok dhe për të forcuar infrastrukturën, në mënyrë që kompania xAI të rrisë presionin mbi konkurrentët si Open AI dhe Anthropic.
Musk tha në maj se 200,000 njësi GPU janë instaluar tashmë në qendrën e zhvillimit të superkompjuterëve Colossus në Memphis, dhe janë duke u zhvilluar plane për të ndërtuar një strukturë edhe më të madhe me deri në një milion çipa.
Investimi vjen në një kohë të konkurrencës gjithnjë e më të ashpër midis kompanive amerikane në tregun e inteligjencës artificiale.
Open AI mbylli një raund financimi prej 40 miliardë dollarësh në mars, ndërsa Antropik siguroi një linjë krediti prej 2.5 miliardë dollarësh në maj me një vlerë tregu prej 61.5 miliardë dollarësh.
xAI u vlerësua në 50 miliardë dollarë vitin e kaluar, dhe raundi i ri i investimeve potencialisht e rrit vlerën e kompanisë në më shumë se 80 miliardë dollarë. /Telegrafi/