47 mijë norvegjezë u njoftuan gabimisht për shumat e fituara në lotari

Operatori i lotarisë në Norvegji, Norsk Tipping, ka kërkuar falje pasi të paktën 47,000 persona që kishin fituar shuma të vogla në lotari u informuan gabimisht se kishin fituar shumë më tepër.

Eurojackpot është një lojë ndërkombëtare lotarie, dhe Norsk Tipping u dërgoi mesazhe me tekst 47,000 lojtarëve duke i informuar se kishte ndodhur një gabim në konvertimin e monedhës. Shumat e fitimeve që operatori norvegjez merr nga organizatorët gjermanë janë në euro, dhe më pas ato konvertohen në krona norvegjeze. Gabimi ndodhi gjatë këtij konvertimi, ku në vend që shuma në euro të shumëzohej me kursin e këmbimit, ajo ishte shumëzuar me 100 – duke krijuar një inflacion të madh të shumës së fitimit të raportuar.

Njëri prej lojtarëve, Ole Fredrik Sveen, 53 vjeç, tha se fillimisht iu komunikua se kishte fituar 1.2 milionë krona (rreth 119,000 dollarë), por më pas u njoftua se shuma reale ishte vetëm 125 krona – rreth 12.40 dollarë.

“Dikush mund të kishte qenë me fat të keq, të kishte filluar të shpenzonte para, dhe më pas të zbulonte se nuk ishte e vërtetë,” tha ai për The Guardian. “Por për fat të mirë, ruajtëm qetësinë dhe e kuptuam që edhe këtë herë nuk ishim aq me fat”.

Norsk Tipping kërkoi ndjesë publike për gabimin dhe sqaroi se asnjë nga shumat e gabuara nuk ishte paguar.

“Norsk Tipping kërkon sinqerisht falje për të gjithë ata që u njoftuan me një shumë të pasaktë fitimi,” thuhej në një deklaratë të kompanisë.

Drejtoresha e përgjithshme e kompanisë, Tonje Sagstuen, kërkoi gjithashtu falje në një deklaratë të shtunën.

“Më vjen tmerrësisht keq që kemi zhgënjyer kaq shumë njerëz, dhe e kuptoj që janë të zemëruar me ne,” tha Sagstuen. “Kam marrë shumë mesazhe nga njerëz që kishin filluar të bënin plane për pushime, për të blerë një apartament apo për të rinovuar shtëpinë, përpara se të kuptonin se shuma ishte gabim.”

Pas ngjarjes, Sagstuen dha dorëheqjen nga posti i saj si CEO dhe u zëvendësua nga drejtori i përkohshëm, Vegar Strand. /Koha.net/

Read Previous

Trump fiton ‘betejën’ ndaj CBS

Read Next

The Guardian: E rrezikshme paaftësia për të vepruar nga dëshpërimi për klimën