Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për numrin e fletëvotimeve dhe broshurave që do të shtypen për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunave do të shtypen 1.800.000 fletëvotime, ndërkaq për raundin e dytë, planifikohen të shtypen 1.250.000 sosh.
Në zgjedhjet për Kuvende Komunale do të shtypen 1.800.000 fletëvotime. Bazuar në të dhënat e raportit të Listës Preliminare të Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit është: 2.075.868 votues.
Ky është numri i fletëvotimeve që KQZ-ja planifikon t’i shtypë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në mbledhjen e KQZ-së, më 2 korrik, anëtarët u njoftuan se nga shpallja e datës së zgjedhjeve lokale 2025 dhe deri më 1 korrik, janë realizuar në tërësi 33 aktivitete nga 269 sa janë planifikuar në përgjithësi, ndërkaq një pjesë tjetër është në zhvillim e sipër.
Po ashtu, anëtarët u informuan se është duke u zhvilluar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës dhe që nga fillimi i saj më 28 qershor dhe deri më 1 korrik janë pranuar 246 kërkesa – prej të cilave 212 janë aprovuar, ndërkaq 34 të tjera janë refuzuar për shkak të dokumentacionit të paplotësuar.
Në këtë mbledhje u bë e ditur se ka filluar programi orientues për trajnimin e anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, i cili fillimisht është mbajtur për anëtarët e disa komunave dhe do të vazhdojë edhe gjatë javës. /KosovaPress