Edi ​Rama: S’kemi qenë kurrë më afër anëtarësimit në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se janë të përkushtuar për bashkëpunim rajonal, derisa vlerësoi se janë më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rama, në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian në Shkup, tha se kanë përmbushur të gjitha pikat për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se Shqipëria po punon shumë mirë dhe se kurrë më afër nuk ka qenë për përmbushjen e aspiratës shekullore për anëtarësim në bllokun evropian.

“Sot jemi këtu për një tjetër ndalesë të rrugës së përbashkët, që lidhet me zbatimin e Planit të Ri të Rritjes – një plan i cili po ecën si duhet dhe po na afron për t’u lidhur më shumë me Bashkimin Europian. Ne jemi shumë krenarë, sepse kemi praktikisht përmbushur deri më tani, të gjitha pikat për zbatim dhe vazhdojmë me pikat e tjera sipas kalendarit. Kurrë nuk kemi qenë më afër realizimit të një aspirate shumëshekullore, do të thosha, dhe nga ana tjetër, më vjen mirë që ka një atmosferë të përgjithshme pozitive në këtë drejtim. Jemi shumë afër. Nuk kemi qenë asnjëherë më afër, jemi shumë afër dhe besoj shumë që ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona, siç kemi paraparë edhe afatet me Komisionin Europian dhe plani i përbashkët do të realizohet plotësisht… Plani i Rritjes është shumë i qartë. Ne duhet të përmbushim detyrat, sikurse ata. Ky është një instrument shtesë që ka të bëjë me atë që është quajtur integrimi gradual. Kjo po ndodh. Shqipëria po punon shumë mirë”, tha ai.

Shqipërinë e përgëzoi edhe komisionerja për Zgjerim dhe Fqinjësi e BE-së, Marta Kos, e cila tha se e njëjta mund të përmbyllë këtë vit të gjithë kapitujt e anëtarësimit në BE.

Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, të martën është mbajtur samiti i radhës i Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të lartë të BE-së në lidhje me Planin e Rritjes të unionit për vendet rajonale.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. /KosovaPress

Read Previous

Ambasada amerikane bën përgatitjet për festimin e 249-vjetorit të Pavarësisë

Read Next

Basketboll | Trepça mëson nesër rivalin në Ligën e Kampionëve