Pas deklaratës së bujshme të Jürgen Klopp, i cili e quajti Kupën e Botës për Klube “idenë më të keqe të zbatuar ndonjëherë”, nuk ka vonuar përgjigjja e Pep Guardiolës, trajnerit të Manchester City. Spanjolli ka mbrojtur qëndrimin e tij dhe ka vënë theksin te roli i trajnerëve në këtë situatë.
Në një konferencë për shtyp, Guardiola u shpreh: “Ne kemi luftuar së bashku shumë herë, veçanërisht kur bëhet fjalë për ta lehtësuar disi kalendarin e ndeshjeve dhe për të pasur më shumë cilësi. Kur lojtarët dhe trajnerët kanë pushimin e duhur, cilësia e futbollit përmirësohet”.
Duke komentuar fjalët e Klopp, tekniku spanjoll shtoi: “Nuk u befasova nga ato që tha. E kuptoj dhe e respektoj. Kemi pasur një marrëdhënie të jashtëzakonshme për shumë vite si rivalë, e kuptoj argumentin e tij”
Megjithatë, Guardiola nuk nguroi të theksonte se përgjegjësia nuk bie mbi trajnerët për kalendarin e ngjeshur: “Gjithsesi, në të njëjtën kohë, ne jemi në një punë ku ndjekim FIFA-n, UEFA-n, Premier League, të gjitha kompeticionet. Trajnerët nuk e organizojnë kalendarin. Secili ka rolin e tij, të tjerët janë ata që i organizojnë këto kompeticione”.
Ky reagim i Guardiolës vjen në një moment kur kalendari i ngarkuar i ndeshjeve dhe lodhja e lojtarëve është bërë një nga temat më të debatueshme në futbollin botëror. Trajneri i City ka zgjedhur të ruajë një ton diplomatik, duke respektuar qëndrimin e Klopp, por njëkohësisht duke mbrojtur realitetin e situates. Trajnerët dhe lojtarët janë ata që përshtaten, jo ata që vendosin. /Telesport.al/