Fermerët e Kosovës paralajmërojnë protestë më 2 korrik për çmimin e grurit

Fermerët nga gjithë Kosova janë thirrur të marrin pjesë në një protestë që do të mbahet më 2 korrik 2025, para objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Protesta organizohet si reagim ndaj vendimit të Ministrisë për të përcaktuar çmimin e blerjes së grurit në 17 cent për kilogram, çmim që është cilësuar nga fermerët si i padrejtë dhe i papërballueshëm në kushtet aktuale ekonomike dhe inflacioniste.

“Ftohen fermerët nga e gjithë Kosova që të na bashkohen në këtë protestë. Çmimi i caktuar nuk përkon me realitetin në terren, me koston e prodhimit dhe me sfidat që kalojnë fermerët”, thuhet në njoftimin e përfaqësuesit të fermerëve të Lipjanit.

Përfaqësuesit e sektorit bujqësor kanë paralajmëruar se në mungesë të reflektimit nga institucionet, mund të ndërmarrin hapa të tjerë për të mbrojtur interesat e tyre. Protesta do të mbahet të mërkurën duke filluar nga ora 10:00.

Read Previous

Kurti merr pjesë në takimin e liderëve të Ballkanit në Shkup

Read Next

BE: Autoritetet e Kosovës ishin të informuara për testimet e urës në Mitrovicë