Koha e Rasmus Hojlund te Manchester United mund të jetë duke shkuar drejt fundit. Interi dhe Napoli po tregojnë interes serioz për të rikthyer sulmuesin danez në Serie A, sipas Gazzetta Dello Sport.
Pas vetëm dy sezonesh në Angli, Hojlund thuhet se është i hapur për një rikthim në Itali, ku më parë shkëlqeu me Atalantën.
Interi ishte klubi i parë që bëri kontakt për të, por së fundmi edhe Napoli ka hyrë në garë. Klubi napolitan po shqyrton mundësinë e një transferimi ndërsa kërkon të forcojë repartin e sulmit nën drejtimin e Antonio Contes.
Conte dëshiron të shtojë një qendërsulmues të fuqishëm në skuadrën e tij, që mund të mbështesë Romelu Lukakun ose të formojë një dyshe sulmuese. Hojlund shihet si një profil që i përshtatet këtij plani.
Në vitin 2023, Manchester United pagoi 75 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse për Hojlund. Tani klubi mund të shqyrtojë shitjen nëse oferta e duhur mbërrin.
Sulmuesi danez ka shënuar 26 gola në dy sezone me United. Megjithatë, ai arriti vetëm 10 gola sezonin e kaluar, në një sezon të vështirë për të dhe për skuadrën.
Trajneri Ruben Amorim thuhet se nuk e sheh Hojlund si të paprekshëm në projektin e tij. Kjo e bën edhe më të mundur largimin e tij gjatë verës. /Telegrafi/