Qeveria belge do të marrë masa të ashpra kundër imigracionit të parregullt, duke futur kontrolle më të rrepta hyrëse.
Masat synojnë gjithashtu të luftojnë krimin në mënyrë më efektive dhe të parandalojnë ata që kanë kërkuar mbrojtje në vende të tjera të arrijnë në Belgjikë.
“Është koha për kontrolle hyrjeje. Belgjika nuk duhet të tërheqë ata që ndalohen diku tjetër”, shkroi ministrja e Azilit dhe Migracionit Anneleen Van Bossuyt në X.
“Mesazhi ynë është i qartë: Belgjika nuk do të tolerojë më imigracionin e parregullt”, theksoi ajo.
Kontrollet, të njoftuara bashkërisht nga Van Bossuyt dhe ministri i Brendshëm Bernard Quintin, janë planifikuar në rrugët kryesore të hyrjes, parkimet e makinave në autostrada, shërbimet ndërkombëtare të autobusëve dhe disa trena.
Sipas një njoftimi për shtyp, njerëzit do të kontrollohen edhe në fluturimet e brendshme evropiane, veçanërisht nga vendet me “presion të lartë migrator” në kufijtë e jashtëm të BE-së si Italia dhe Greqia.
”Këto nuk janë kontrolle kufitare në kuptimin ligjor, por masat mund të zbatohen afër kufirit”, sqaroi ajo.
Kontrollet do të fillojnë në ditët ose javët e ardhshme, fillimisht për një periudhë të kufizuar prej gjashtë muajsh, pas së cilës do të vlerësohet efektiviteti i tyre. /ATSH-DPA/