Shqipëria ndihmon shtetasit në Izrael, Hasani: Po bashkëpunojmë edhe për qytetarë nga Kosova

Creator: Arda Küçükkaya Copyright: ©Anadolu Ajansı

Teksa konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar, Shqipëria po përpiqet të nxjerrë shtetasit shqiptarë nga Izraeli. Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, dha detaje për operacionin dhe përpjekjet për të ndihmuar edhe shtetasit nga Kosova.

“Janë transportuar drejt Egjiptit, kanë mbërritur në Athinë, dhe me ndihmën e autoriteteve greke kemi mundur t’i nxjerrim shtetasit tanë. Në të njëjtën kohë, po punojmë me autoritetet bullgare për të ndihmuar shtetas të Kosovës për të dalë nga Izraeli.”

Por a ka shtetas shqiptarë të cilët mund të ndodhen në Iran dhe që duan të rikthehen në Shqipëri?

“Ne nuk jemi kontaktuar nga askush që të ketë kërkuar asistencë. Marrëdhëniet diplomatike me Iranin janë ndërprerë, por jemi përpjekur të mbledhim informacion nga burime jozyrtare dhe deri në këto momente nuk kemi pasur asnjë kërkesë për ndihmë.”

Ministri Hasani flet për marrëdhëniet aktuale me Iranin dhe mundësinë e një rreziku të shtuar për Shqipërinë, edhe për shkak të strehimit të muxhahedinëve.

“Sulmet kibernetike që ndodhën para pak vitesh kanë qenë prova konkrete e një agresioni që u menaxhua nga autoritetet shqiptare. Jemi në gjendje të forcojmë kapacitetet kibernetike.”

Paralelisht me këto zhvillime, Shqipëria vijon negociatat me BE. Për ministrin Hasani, këto ngjarje globale mund të ndikojnë pozitivisht në arritjen e qëllimit.

“Unë mendoj fort që jemi në momentin më të mirë që vende si Shqipëria t’i bashkohen Bashkimit Europian, për shkak të sfidave të sigurisë, sfidave globale.”

Shumë shpejt pritet që të hapet edhe grup-kapitulli i pestë dhe po ashtu të mbahet konferenca e gjashtë ndërqeveritare.

“Është çështje ditësh, dhe e kam fjalën te teknikalitetet në gjetjen e një date në kalendarin e Komisionit Europian, pasi të gjithë kanë rënë dakord për hapjen e grup-kapitullit të radhës. Nuk ka më pikëpyetje për këtë gjë.”

Sipas ministrit Hasani, synimi i vetëm i Shqipërisë duhet të jetë vijueshmëria e reformave për të përmbushur qëllimin e vetëm: anëtarësimin në familjen evropiane. /tvklan.al

Read Previous

​Në Ditën Ndërkombëtare, kërkohet drejtësi për viktimat e dhunës seksuale

Read Next

Mbahet seancë gjyqësore me videolidhje mes burgut dhe gjykatës