Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka bërë një apel publik për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë stinës së verës, e cila karakterizohet me temperatura të larta dhe rrezik të shtuar për shpërthim zjarresh në pyje, fusha dhe hapësira të hapura.
Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të agjencisë në Facebook, theksohet se zjarret jo vetëm që shkaktojnë dëme të mëdha materiale, por edhe ndotin ajrin, shkatërrojnë natyrën dhe paraqesin rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
“ZJARRVËNIET JANË VEPËR PENALE!”, thuhet në njoftim, duke rikujtuar se çdo zjarrvënie e qëllimshme apo e shkaktuar nga pakujdesia përbën vepër penale që sanksionohet me ligj. Autoritetet paralajmërojnë se përgjegjësit për zjarrvënie përballen me ndjekje penale dhe masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi./reporteri/