Shefi i Amazon-it u thotë punonjësve se AI rrezikon vendet e tyre të punës

Shefi i Amazon-it u ka thënë punonjësve të zyrës në kompaninë e tregtisë elektronike se vendet e tyre të punës mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale në vitet e ardhshme, raporton The Guardian.

Andrew Jassy u tha punonjësve se agjentët e AI – mjete që kryejnë detyra në mënyrë autonome – dhe sistemet gjeneruese të AI-së si chatbot-ët, do të kërkojnë më pak punonjës në disa fusha.

“Ndërsa ne shpërndajmë më shumë AI gjeneruese dhe agjentë, kjo do të ndryshojë mënyrën si bëhet puna jonë,” tha ai në një memo për stafin. “Do të na duhen më pak njerëz për disa prej punëve që bëhen sot, dhe më shumë njerëz për lloje të tjera pune.

“Është e vështirë të dihet saktësisht si do të përfundojë kjo me kalimin e kohës, por në disa vitet e ardhshme, presim që kjo të ulë numrin total të punonjësve tanë në zyrë.”

Amazon punëson 1.5 milionë njerëz në mbarë botën, me rreth 350,000 që punojnë në pozita korporate si inxhinieri softuerike dhe marketing.

Fundjavën e kaluar, drejtori ekzekutiv i kompanisë britanike të telekomit BT tha se përparimet në AI mund të çojnë në shkurtime më të thella të vendeve të punës, ndërsa Dario Amodei, drejtori i kompanisë së AI-së Anthropic, tha muajin e kaluar se AI mund të zhdukë gjysmën e të gjitha punëve fillestare në zyrë.

Jassy tha se në të ardhmen e afërt do të ketë miliarda agjentë të AI që do të punojnë në kompani dhe në jetën e përditshme të njerëzve.

“Do të ketë miliarda prej këtyre agjentëve, në çdo kompani dhe në çdo fushë të mundshme. Do të ketë gjithashtu agjentë që do të kryejnë rregullisht gjëra për ju jashtë punës, nga blerjet te udhëtimet e deri te punët dhe detyrat e përditshme. Shumë prej këtyre agjentëve ende nuk janë ndërtuar, por mos u gaboni – ata po vijnë, dhe po vijnë shpejt,” tha ai.

Jassy e përfundoi memorandumin duke u bërë thirrje punonjësve që të jenë “kuriozë për AI-në” dhe të “arsimohen” rreth kësaj teknologjie dhe të ndjekin kurse trajnimi.

“Ata që përqafojnë këtë ndryshim, bëhen të aftë në AI, na ndihmojnë të ndërtojmë dhe përmirësojmë kapacitetet tona të brendshme në AI dhe të ofrojmë më shumë për klientët, do të jenë në pozita të favorshme për të pasur ndikim të madh dhe për të na ndihmuar ta riformojmë kompaninë,” tha ai.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – një organizatë e fuqishme ndërkombëtare politike – ka vlerësuar se teknologjia mund të shkaktojë humbje të vendeve të punës në profesione të kualifikuara zyrtare si juridiku, mjekësia dhe financa.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka llogaritur se 60% e vendeve të punës në ekonomitë e zhvilluara si SHBA dhe MB janë të ekspozuara ndaj AI-së, dhe gjysma e këtyre vendeve të punës mund të preken negativisht.

Megjithatë, Instituti Tony Blair, i cili ka bërë thirrje për përdorim të gjerë të AI-së në sektorin publik dhe privat, ka thënë se teknologjia mund të zhvendosë deri në 3 milionë vende pune në sektorin privat në Mbretërinë e Bashkuar, por humbja neto do të zbutet nga krijimi i roleve të reja përmes teknologjisë. /KosovaPress/

Read Previous

Wikipedia po tërhiqet nga një plan për të testuar përmbledhjet e artikujve me inteligjencë artificiale

Read Next

Rusët po ndërtojnë një qytet ushtarak pranë kufirit me Finlandën