Burgu i dikurshëm në Islas Marias, një nga kolonitë penale më të frikshme të Meksikës, është transformuar në një rezervat biosfere, duke tërhequr turistë që duan të eksplorojnë historinë e tij të errët dhe bukuritë natyrore. Ishulli, tani një destinacion turistik, ofron një përzierje unikale mes trashëgimisë penale dhe biodiversitetit të pasur.
Në vitin 2019, burgu i Islas Marias në Meksikë – kolonia e fundit penale ishullore në Amerikën Latine – u mbyll përfundimisht. Tani një rezervar biosferik, ish-arkipelagu i frikshëm është hapur për turistët nëpërmjet ekskursioneve të kufizuara të organizuara nga Marina e Meksikës.
Gazetari i BBC-së ishte në portin e trageteve në San Blas, qytet bregdetar në shtetin Nayarit në perëndim të Meksikës, kur dy burra të veshur me uniforma ushtarake dhe që mbartnin armë automatike kaluan pranë tij në radhën e pritjes. Pas tyre erdhi një roje që udhëhiqte një qen Alsatian, i cili me kujdes po nuhaste çantën e tij. Bashkë me disa qindra turistë meksikanë të moshës së mesme, po merrte pjesë në një ekskursion fundjave të organizuar nga Marina e Meksikës për në Maria Madre, ishulli më i madh i arkipelagut Islas Marias – dikur i njohur si “Alcatrazi i Meksikës”.
Ajo që gazetari i BBC-së nuk e dinte në atë moment ishte se udhëtimi i tij ndodhi vetëm pak para se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ta urdhëronte Qeverinë e tij që ta rihapte dhe ta zgjeronte Alcatrazin, burgun famëkeq të vendosur në një ishull pranë San Franciskos, operacionet e të cilit u mbyllën formalisht në vitin 1963. Alcatrazi, që nga atëherë është shndërruar në një atraksion turistik të rëndësishëm, ku vizitorët mund të përjetojnë shtëpinë e burgut ashtu siç ka qenë dikur. Ndryshe nga Alcatrazi, ishulli meksikan është transformuar në një vend të mrekullueshëm të ruajtjes së natyrës.
Turneu në Islas Marias
Ishulli Maria Madre, që ndodhet rreth 130 km larg nga toka e Meksikës, ka një sipërfaqe prej rreth 145 km katrorë dhe është pjesë e një rezervuari natyror me katër ishuj, të cilët tani menaxhohen nga Marina e Meksikës. Që nga viti 2022, turistët lejohen ta vizitojnë ishullin nëpërmjet ekskursioneve me traget që zgjasin katër orë, duke eksploruar zona të caktuara nën mbikëqyrjen e autoriteteve.
Për shumë meksikanë, Islas Marias nuk ka nevojë për prezantim. Burgu, i ngritur në vitin 1905, kishte mbajtur kriminelë të njohur, përfshirë vrasës serikë dhe ka qenë vendi i xhirimeve të filmit të njohur me regji të regjisorit të njohur meksikan Emilio Fernandez, “Las Islas Marias”, që u publikua në vitin 1951.
“Këtu më parë kishte kriminelë të mëdhenj”, tha një pasagjer tjetër, Francisco Espinosa, i cili tregoi se për vizitë, u tërhoq nga filmi, i cili shfaq plazhet e ishullit dhe fushat ku punonin të burgosurit.
Ishulli është i prirë ndaj erërave ekstreme dhe atje vepron një bazë ushtarake, kështu që ekipi i BBC-së u detyrua të shihte një video sigurie se çfarë të bënin nëse ishulli pësonte një cunami ose sulm me gaz.
Spektakli natyror vazhdoi, pasi ecën mbi skelën prej betoni të Maria Madres dhe pasi u lanë çantat në kompleksin hotelier të krijuar për vizitorët e rinj. Tufa dhish të egra u shpërndanë nga shtigjet midis ndërtesave të restoranteve, bufeve dhe dyqaneve të vogla të dhuratave, ndërsa njerëzit që vinin ndërprisnin bredhjen e tyre. Zhurma e thundrave mbi beton përzihej me zhurmën e ujit që përplasej nga një strukturë të madhe uji në stilin e ujëvarës. Një nga ciceronët shpjegoi se ulërimat, që vinin nga drunjtë, sinjalizonin sezonin e çiftëzimit për papagajtë e gjelbër të Amazonës “Tres Marias”. Të burgosurit i bindnin anëtarët e familjes të kontrabandonin këta papagaj të çmuar në kontinent, për t’i shitur. Popullata e bollave gjithashtu pësoi një goditje, pasi të burgosurit kapnin gjarpërinj për të bërë rripa nga lëkura e tyre.
Ferri i shndërruar në parajsë
Gazetarit të BBC-së iu caktua një vilë e ajrosur, e lyer me të bardhë, e cila, sipas ciceronit, përdorej për t’i strehuar të burgosurit. Ata shpjeguan se disa të burgosurve u lejohej të kishin familjet e tyre që të jetonin me ta në ishull dhe mund të lëvizin relativisht lirisht. Megjithatë, jeta nuk ishte e hapur për të gjithë. Shumë ishin të detyruar të punonin në vapë përvëluese në fushat e kripës ose në fermat e karkalecave. Në vitin 2022, një ish e burgosur i tha Los Angeles Times se mbante mend pesë banja që përdoreshin nga 500 të burgosura.
“Ne jetonim si në kafaze pulash”, tha ajo.
Por në vitin 2010, kur burgu ishte ende i hapur, UNESCO e shpalli Islas Marias rezervuar biosfere, duke vënë në dukje pasurinë biologjike që gjendet në “pyjet e thata të peizazhit të tij, shkurret, shkëmbinjtë nënujorë, brigjet dhe mjediset pelagjike që posedon”. Përveç papagajve, ishulli është shtëpia e 18 specieve të tjera endemike, duke përfshirë rakunët dhe lepujt. Komisioni Kombëtar i Zonave të Mbrojtura Natyrore i Meksikës (CONANP) është i ngarkuar me mbrojtjen e ekosistemit delikat, ndërsa turnetë e drejtuar nga marina i çojnë vizitorët nëpër ndërtesat e braktisura të burgut dhe i edukojnë ata mbi florën dhe faunën.
“Ky është turizëm për ekskursione, për të eksploruar, për të jetuar me natyrë”, tha presidenti i atëhershëm i Meksikës, Lopez Obrador, në vitin 2022. “Ajo që ishte ferr, po shndërrohet në parajsë”.
Megjithatë, shumica e turistëve vijnë për historinë, jo për kafshët. Ekipi i BBC-së u bashkua me një shëtitje në grup ku ciceroni tregoi një strukturë metalike të ndryshkur pranë një shkëmbi. Duket si një vend për roje, por në fakt ishte një kabinë torturash për të burgosurit, i pozicionuar për t’u “djegur” nga dielli i mëngjesit. Turistët hipnin brenda me radhë dhe mbyllnin derën që kërciste.
Pas një vakti ushqimor, i shoqëruar nga interpretime me saksofon të këngëve të Elton John, një autobus i çoi turistët nëpër rrugë me pluhur në ish-kompleksin e burgut të sigurisë maksimale. Ndërsa i afroheshin ndërtesave të mëdha gri, duke kaluar gardhe të mbuluara me tela me gjemba, Macarena shpërthente nga altoparlantët e autobusit.
Në vitin 2006, pasi qeveria meksikane shpalli luftë kundër karteleve të drogës në vend, burgu në ishull ndryshoi, duke u kthyer në një burg më standard. Në vitin 2011, u hap një seksion me siguri maksimale me një dizajn të bazuar në burgjet amerikane: tavolina, karrige dhe tualete çeliku me shkëlqim, dyer metalike që kërcasin dhe qeli të vogla me krevate marinari. Turistët e tjerë futën krahët midis shufrave metalike, duke pozuar për foto. Ciceroni tha se pati një trazirë këtu në vitin 2013 për shkak se të burgosurit u acaruan për racionet, dhe seksioni u mbyll menjëherë pas kësaj. Tani dhitë e egra enden aty.
Por përpara se ishulli të ishte vendi ku gjendej një burg i sigurisë së lartë, ai shërbeu si një vend internimi për kriminelët e vegjël dhe “të padëshiruarit”. Presidenti Alvaro Obregon filloi të transportonte kundërshtarët politikë këtu në vitin 1910, dhe në vitet 1920, aty strehoheshin mbështetësit katolikë të mbledhur në Luftën Cristero (1926-29).
Historia e ishullit
Një nga të burgosurit politik më të shquar ishte shkrimtari dhe aktivisti Jose Revueltas, i cili u dërgua në ishull dy herë në vitet ‘30. Ai ishte anëtar i Partisë Komuniste Meksikane, e shpallur e paligjshme nga qeveria, dhe u dënua pasi mori pjesë në një grevë sindikale. Një mural i Revueltas zbukuron murin e ndërtesës së kthyer tashmë në hotel.
Më vonë, autobusi e çoi grupin e turistëve në një varrezë të ndriçuar nga dielli, të rrethuar nga kaktus të mëdhenj, ku ndaluan pranë një kryqi të bardhë. Ky ishte varri i Jose Ortiz Munoz – i njohur si “El Sapo”, i njohur edhe si “The Toad” – një vrasës famëkeq, që u soll në ishull në vitet ‘60 pasi thuhet se vrau qindra njerëz. Ai u vra nga të burgosur të tjerë.
Qasja në ujërat përreth Islas Marias u kufizua pasi Maria Madre u bë një koloni penale në vitin 1905. Peshkimi u kufizua më tej në vitin 2000 kur zona u shpall biorezervat nga autoritetet meksikane. Në vitin 2021, kufizimet e peshkimit u shtrënguan përsëri.
Megjithatë, ambientalistët thonë se peshkimi i paligjshëm nuk është “goditur” në mënyrë efektive nga autoritetet. Octavio Aburto-Oropeza, ambientalist detar dhe profesor në Institutin e Oqeanografisë Scripps, e përsëriti këtë kur gazetari i BBC-së foli me të pas turit.
“Unë njoh kompani që ofrojnë jo vetëm peshkim rekreativ rreth Islas Marias, por edhe peshkim me shtizë”, tha ai.
Aburto-Oropeza është shumë i dhënë për ujërat përreth Islas Marías dhe në dy udhëtime të veçanta që bëri këtu, thotë se, ndërsa peshkimi i paligjshëm mbetet një shqetësim, shkëmbinjtë nënujorë dhe ekosistemi më i gjerë detar janë në gjendje të mirë, kryesisht për shkak të izolimit të arkipelagut dhe numrit të ulët të vizitorëve.
Ai beson se Marina dhe CONANP duhet të bëjnë më shumë për ta luftuar peshkimin e paligjshëm dhe të vendosin objektiva të arritshme për restaurimin e shkëmbinjve nënujorë dhe specieve, por se edhe turizmi i përgjegjshëm mund të ndihmojë.
Në tragetin e kthimit për në San Blas, ekipi i BBC-së bisedoi me pasagjerët e tjerë për papagajtë, kutitë e torturave dhe përvojën surreale të hyrjes në “Alcatrazin e Meksikës”. Askush nuk tha që burgu duhet të rihapet./koha.net/