​26 vjet nga masakra në Dubravë, dhimbja e kujtimet nuk harrohen

26 vjet nga masakra e Burgut të Dubravës, ata që mbijetuan ende mbajnë në shpirt dhe mendje pamjet dhe dhimbjen e tragjedisë së tmerrshme. 

Ata sot u kthyen sërish në vendin ku panë vdekjen me sy, por fati deshi të mos vdesin. 

Dikujt ende i kujtohen britmat e dëshpëruara të të burgosurve që kërkonin shpëtim, ndërsa disa kujtojnë gjakun mbi trupat e shokëve, ata që dikur kishin qenë bashkë, të burgosur, të pambrojtur, por ende të gjallë. 

Disa ende mbajnë në trup plumbat e asaj dite të tmerrshme, mes 19 dhe 24 majit 1999, kur aparati shtetëror serb kreu masakrën ndaj shqiptarëve që ndodheshin atje.

I mbijetuari Nait Hasani thotë se masakra në burgun e Dubravës është krim gjenocidal ku për herë të parë shteti serb mori pjesë në masakër dhe kreu vrasjet.

“Këtu ka ndodhur një masakër, një krim gjenocidal ku për herë të parë shteti merr pjesë drejtpërdrejt, institucionet e shtetit e bëjnë vrasjen dhe për mua është më e tmerrshmja. Ajo karakoll aty këtu kanë qenë të renditur të burgosurit dhe është gjuajtur nga ajo karakoll me të gjithë armët i kemi parë më sytë tanë. Kemi parë njerëz duke u rrëzuar, kemi parë gjak, kemi parë tym dhe zjarr në gjakun e njerëzve që kanë qenë të shtrirë”, tregon momentet e tmerrshme të masakrës Hasani.

Ish-i burgosuri, dhe tani deputeti i PDK-së, Hasani teksa tregon tmerrin e atyre ditëve dhe mënyrën se si i mbijetoi masakrës, tha se ato ditë nuk dëgjohej asgjë tjetër përveç krisma, tym e britma për ndihmë.

“Kjo është fushë e sportit. Ne jemi shtrirë dhe kemi ecur zvarrë deri atje poshtë. Një pjesë e madhe e të burgosurve që kemi mund të ecim zvarrë kemi arritur deri te bregu dhe tani kemi hyrë nëpër ndërtesa dhe kjo ka qenë ajo qe thonë fati në fatkeqësi fati që nuk na ka rrokur plumbi, se ata kanë gjuajtur te të gjithë, ata nuk kanë zgjedhur kanë gjuajtur gjithë turmën… aty nuk ke mund të dëgjosh asgjë tjetër përveç krisma, tym, britma, kërkesa për ndihmë sot e kam para syve”, tha ai.

Nga Prekazi drejt Dubravës sot erdhi edhe Besim Rama, i cili përkujton ditën kur ndodhi kjo masakër.

“Ne e kemi pasur një ditë shumë të rrezikshme për gjithë të burgosurit shqiptarë, fillimisht na kanë kërkuar qe të bëhemi rresht të gjithë këtu te guri dhe ne pa logjikuar kemi qenë të lodhur dhe të rraskapitur. Na kanë thënë të vijmë te muri këtu duke na thënë se vijnë autobusët dhe iu dërgojmë aty ku e kanë pas qëllim. Dhe papritmas, nuk e di as vetë si kam ikur me të gjithë shokët, me të gjitha armët kanë gjuajtur nga të gjitha anët, mitraloza, granata dore, me çka kanë pasur mundësi dhe vetëm kur i kam dëgjuar krismat dhe kanë rënë të gjithë të burgosurit që e kanë pasur vdekjen”, tha ai.

Rama midis plumbave të shkrepur nga serbët kishte arritur të fshihej në bodrumin e kuzhinës në njërin pavijon të këtij burgu, raporton KosovaPress. Për të është sa e rëndë e po aq të dhimbshme edhe fakti që ende askush nuk ka marrë dënimin e merituar është dënuar për masakrën e kryer nga forcat serbe.

“Kur kam shkuar te stomi jam rrotulluar, i ndjeri Arsim Zogiani edhe atë e ka rrokur plumbi i snajperit, anë për anë e ka shpuar, nuk kisha më si t’i ndihmoja. Jemi ndalur, kemi parë të vrarë, por kemi vazhduar, jemi shpërndarë, disa kanë hyrë në puseta, unë personalisht me Idriz Asllanin kemi hyrë në bodrumin e kuzhinës derisa na kanë dhënë urdhër me u dorëzuar ashtu jemi fshehur… Është një tmerr i madh dhe ende nuk është dënuar askush që dihet me emër dhe mbiemër”, tha ai.

Plumbave që mori iu mbijetoi edhe Xhelil Bejtullahu, i cili për KosovaPress tregon se tri ditë ishte pavetëdije duke qëndruar në lëndinën ku ndodhi masakra, derisa një ish-i burgosur tjetër e kishte shpëtuar.

Në atë kohë si një 18-vjeçar, Bejtullahu thotë se serbët nga karakolli gjuanin me lloj-lloj armësh.

“Shtatë plumba dhe një zollë e tre plumba, i kam pas. Për çdo ditë nga dy plumba më kanë rrokur … prej kësaj karakollit këtu sa kanë mundur na kanë gjuajtur edhe kemi qëndruar nëpër puseta derisa kanë ardhur kinse ushtria e rregullt. Këtu më ka gjetur pa vetëdije Afrim Cakaj nga Gjakova, këtu në livadh, nuk e di sa kam qëndruar 2-3 ditë pa vetëdije. 70% e mushkërisë e kam të larguar edhe gjysmën e trupit e kam plastikë”, tha ai.

Në burgun e Dubravës nga 19 maj deri më 24 maj 1999 ndodhi masakra e organizuar nga aparati shtetëror serb, ku të vrarë mbeten 117 të burgosur shqiptarë dhe qindra të tjerë u plagosën. /KosovaPress/

Read Previous

Gola: Rritja e energjisë elektrike rrezik real për vazhdimësinë e biznesit

Read Next

Lista me njerëzit më të pasur në botë