Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius janë duke marrë pjesë në një ceremoni në Vilnius të Lituanisë, për të shënuar nisjen e dislokimit të parë të përhershëm të trupave gjermane jashtë vendit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sipas The Guardian, në komentet hapëse, presidenti i Lituanisë Gitanas Nausėda ka falënderuar kancelarin Merz për vizitën dhe dislokimin, duke theksuar se ajo tregon “një angazhim të qartë dhe të fortë” nga ana e Gjermanisë për të ndihmuar në frenimin e Rusisë në drejtim të Lituanisë dhe të gjithë krahut lindor të NATO-s. Ndërkohë, inaugurimin e njësisë ushtarake gjermane në Lituani e ka cilësuar si “një ditë përgjegjësie dhe veprimi”.
Tutje, Nausėda tha se : “Mesazhi ynë duhet të jetë i qartë: jemi të bashkuar, të gatshëm dhe të vendosur”. Ai shtoi se Lituania do të arrijë objektivin e saj për të shpenzuar 5% të PBB-së për mbrojtjen vitin e ardhshëm.
Në përgjigje, kancelari gjerman Friedrich Merz ka theksuar se të dy vendet janë partnere “jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra”, duke nënvizuar marrëdhëniet dypalëshe, por edhe përmes BE-së dhe NATO-s.
Merz ka vënë në dukje “rrethanat jashtëzakonisht të vështira” dhe një situatë “shumë të tensionuar” në Baltik për shkak të “revizionizmit agresiv” të Rusisë, i cili, sipas tij, përbën një sfidë serioze për sigurinë e Evropës. Merz ka shtuar se vendimi për të stacionuar një brigadë në Lituani u mor për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi.
Ai poashtu deklaroi se Gjermania mbetet “e vendosur për të mbrojtur territorin e aleancës ndaj çdo agresioni” dhe siguroi qytetarët e Lituanisë se “mund të mbështeten te Gjermania.”