Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të mbështetur edhe nga deputetë të tjerë opozitarë, kanë dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRrE), duke kërkuar anulimin ose shtyrjen e vendimeve për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar dhe për rritjen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë.
Në këtë kërkesë, nënshkruar nga 30 deputetë, LDK thekson se vendimet e fundit të ZRrE-së janë marrë në mungesë të një tregu të liberalizuar realisht dhe pa konsultime publike, duke rrezikuar rëndë stabilitetin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve
“Kërkojmë që vendimi për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar të anulohet ose të shtyhet për të paktën një vit, për t’i dhënë kohë tregut të liberalizohet në mënyrë të drejtë dhe që bizneset të përgatiten,” thuhet në dokumentin e dorëzuar.
Po ashtu, deputetët kanë kërkuar që çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë, të kalojë nëpër proces të hapur konsultimesh publike, në përputhje me Ligjin për Energji.
Kërkesa përmban gjithashtu një pikë të drejtpërdrejtë për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për familjarët, me zotimin për të propozuar alternativa që nuk e rëndojnë barrën mbi qytetarët.
Sipas deputetëve të LDK-së, një veprim i tillë i ZRrE-së në një kohë kur tregu nuk funksionon në mënyrë konkurruese dhe kur nuk janë siguruar mekanizma mbrojtës për konsumatorët, është në kundërshtim me interesin publik.
“Ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme,” thuhet në komunikatën nga Zyra e Informimit e LDK-së.
Kërkesa është dorëzuar në emër të grupit parlamentar nga Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.
LDK gjithashtu ka paralajmëruar se do të ndërmarrë edhe veprime të tjera politike dhe institucionale sapo të themelohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilat aktualisht janë të bllokuara./Telegrafi/