“Zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është edhe një herë një nga prioritetet e BE-së”, ka deklaruar presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa.
Ai fillon një turne në rajon të martën.
Costa ka kërkuar të sigurojë vendet kandidate për në BE në Ballkanin Perëndimor duke thënë se stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i kontinentit varet nga zgjerimi i bllokut.
Duke folur përpara një turneu në rajon, Costa premtoi se BE ishte e përkushtuar për të rifilluar procesin e pranimit, i cili ka ngecur kohët e fundit, pjesërisht për shkak të hezitimit të vendeve anëtare.
Gjithashtu, ai u kërkoi vendeve kandidate të angazhohen për reforma.
Bëhet e ditur se në qendër të misionit të tij në Ballkanin Perëndimor është nevoja që Brukseli të mos humbasë kontrollin strategjik mbi një rajon kyç.
“Pushtimi rus i Ukrainës ka përshpejtuar procesin e anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, kështu që nuk është e drejtë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kapërcehen nga Ukraina dhe Moldavia dhe kjo do t’i shtyjë ata të ecin më shpejt me reformat”, tha ai për Euronews në prag të turneut të tij diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ndalesa e parë e presidentit të Këshillit Evropian do të jetë Serbia, një vend që prej disa muajsh është zhytur në krizë politike.
Të njëjtën ditë, Costa do të vizitojë edhe Bosnje-Hercegovinën, përpara se të takohet të mërkurën me krerët e shteteve dhe qeverive të Malit të Zi dhe të Kosovës.
Të nesërmen ai do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, përcjell Telegrafi.
Ndalesa e tij e fundit më pas do të jetë Shqipëria, ku do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) të premten në Tiranë.
Siguria evropiane në qendër të shqetësimeve të BE-së
EPC është një forum strategjik politik ndërqeveritar që bashkon mbi 40 vende evropiane, i cili u krijua në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës.
Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor do të jetë në krye të agjendës në samit për shkak të paqëndrueshmërisë në rritje në rajon.
Udhëheqësit e vendeve anëtare të BE-së kanë frikë se fuqitë e jashtme po vendosin terrenin e tyre në një rajon që është pjesë integrale e Evropës.
“Në anën e Këshillit Evropian, ekziston një konsensus i gjerë politik se zgjerimi është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik që mund të bëhet për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin e të gjithë Evropës, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Costa.
Ndër tjera, presidenti i Këshillit Evropian vuri në dukje se “vendet e BE-së dhe Ballkani Perëndimor ndajnë një vizion të përbashkët, pasi i përkasin familjes evropiane”.
“Kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë që ata të mund t’i bashkohen zyrtarisht kësaj familjeje, brenda Bashkimit Evropian”, shtoi ai.
Cili është afati kohor për anëtarësimin në BE?
Institucionet evropiane shpesh kanë treguar vitin 2030 si datën e synuar për anëtarësimet e para në BE, veçanërisht ato të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
Megjithatë, Brukseli tani po flet vetëm për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Unë nuk kam një datë të caktuar. Pse 2030? Dhe pse jo më parë? Pranimi është një proces i bazuar në merita. Nëse vendet kryejnë reformat, ato mund të bashkohen edhe përpara vitit 2030”, tha Costa.
“Por janë pikërisht meritat që mund të ndryshojnë. Shqipëria dhe Mali i Zi janë dukshëm më të avancuara se vendet e tjera.”
Megjithatë, lufta e Rusisë në Ukrainë ka çuar në një rritje të tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe midis Serbisë dhe Kosovës.
“Unë nuk di asnjë nxitje më të mirë për të kapërcyer konfliktet që janë ende të hapura sesa kjo mundësi ndoshta unike, që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Është kushti më i mirë për t’u ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor, një mundësi për prosperitet që ata do ta kishin të vështirë ta gjenin diku tjetër”, vazhdoi presidenti i Këshillit Evropian. /Telegrafi/