Tensionet në Gadishullin Korean po rriten sërish, pasi Koreja e Veriut ka kryer një seri testesh raketash balistike, të mbikëqyrura nga lideri Kim Jong-un, të cilat simulojnë kundërsulme taktike bërthamore ndaj forcave amerikane dhe jugkoreane.
Media shtetërore koreano-veriore raportoi se testet u zhvilluan të enjten dhe përfshinin raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.
Sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve, ato ishin pjesë e një stërvitjeje që synonte të rrisë efektivitetin operacional të njësive të raketave nën strukturën e komandës bërthamore të Koresë së Veriut. Testet përfshinin një sistem raketash balistike të lëvizshme, që i ngjante Iskander-it rus.
Ky veprim ka nxitur reagim të ashpër nga Koreja e Jugut, e cila e cilësoi testimin si “një akt të qartë provokimi”.
Autoritetet jugkoreane e lidhën këtë zhvillim me eksportet e dyshuara të armëve të Koresë së Veriut në Rusi.