Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras ka folur lidhur me dezinformimin nga Rusia dhe Kina, gjersa thekson se kanë qëllim që të destabilizojnë rajonin.
Terras në një postim në platformën X shkruan se në raportin e tij për Kosovën, vëmendje të veçantë i ka kushtuar sigurisë.
“Në raportin tim për Kosovën, i kushtoj vëmendje të veçantë sigurisë. Dezinformimi nga Rusia dhe Kina ka për synim të destabilizojnë rajonin dhe të pengojnë rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.
Parlamenti Evropian nxit Kosovën të reagojë më fuqishëm ndaj këtyre kërcënimeve të jashtme”, shkruan ai.
Ndryshe, ditë më parë Parlamenti Evropian ka miratuar një raport për Kosovën që inkurajon shtetin të bëjë reforma për të lëvizur drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por po ashtu kërkon që Prishtina dhe Beogradi të hapin një kapitull të ri në bisedimet për normalizim.
Ndërkaq, në raportin për Kosovë, PE-ja tha se shteti ka bërë përparim të dukshëm në reformën zgjedhore, qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Megjithatë, sfidat mbeten sa i përket reformave në gjyqësor, liri të medias, efikasitetit të administratës publike dhe digjitalizimit të shërbimeve publike. Eurodeputetët theksuan se përkushtimi i vazhdueshëm i reformave gjithëpërfshirëse dhe qeverisjes përfshirëse është thelbësore për përparimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Eurodeputetët thanë po ashtu se Kosova ka qenë cak i ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave dezinformuese, veçmas nga Rusia dhe Kina, që kishin për synim destabilizimin e rajonit dhe pengimin e integrimit evropian të Ballkanit perëndimor.
Prandaj, “Parlamenti Evropian i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të forcojë kapacitetet e saj për të luftuar këto kërcënime”, tha PE-ja. /Telegrafi/