Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për masat kundër përhapjes së koronavirusit. Ai ka kërkuar që të heqet ora policore, të hapet gastronomia dhe sallat e dasmeve – por me masa mbrojtëse.
Gjithashtu, Haradinaj ka porosituar Qeverinë të fokusohet te vaksinat dhe të sigurohen medikamente falas.
“Vazhdoni siguroni pako financiare për të prekurit nga kriza ekonomike…Ndërpreni menjëherë presionet ndaj bizneseve dhe gjobat ndaj qytetarëve, nuk është praktikë e duhur në kohë krize-ndëshkimi financiar…Legalizoni të gjitha tregjet që sjellin të hyra në buxhet dhe krijojnë vende të reja të punës. Hapne gastronominë, hapni sallate dasmave po me masa mbrojtëse, hekne orën policore”, tha Haradinaj në Kuvend, transmeton Gazeta Express.
“Ora policore ua vështirëson jetën njerëzve…Shumica prej këtyre masave nuk kanë kosto, janë fokusim në punën e juaj”, shtoi ai.
Pas fjalës së tij, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, tha se Kuvendi shkon në pushim nga ora 14:00 deri në orën 15:00. /Gazeta Express/