Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha të mërkurën se shqetësimin e tij lidhur me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë ia ka shprehur presidentes Vjosa Osmani.
Në një postim në rrjetin social Bluesky, ambasadori gjerman tha se veprimi i shpejtë është i domosdoshëm.
“Punët shtetërore duhet të jenë gjithmonë përpara politikës partiake”.
Deri më tash janë bërë tetë tentime të pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Pas betimit të deputetëve, procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje – partia e parë e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – e ka propozuar gjashtë herë me radhë Albulena Haxhiun.
Por, për partitë që deri më tash ishin në opozitë, ky emër është i papranueshëm.
“Në takimin tim me presidenten Osmani, shpreha shqetësimin tim në rritje për vonesat në finalizimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe formimin e qeverisë paszgjedhore. Në peizazhin e sotëm global që ndryshon me shpejtësi, veprimi i shpejtë është i domosdoshëm – punët shtetërore duhet të jenë gjithmonë përpara politikës partiake”, shkroi Rohde.
Të enjten më 1 maj, deputetët do të mblidhen sërish në një tentim të radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë. /KosovaPress