Barcelona – Inter: Katalanasit duan çdo trofe, zikaltërit synojnë shpëtimin e sezonit

Barcelona do të presë Inter-in për ndeshjen e parë gjysmëfinale mes dy skuadrave në UEFA Champions League 2024-25 (UCL).

Pas takimit të parë gjysmëfinale Arsenal 0-1 PSG, kjo e mërkurë, 30 prill, sjellëtakimin e dytë, atë mes Barcelona-s dhe Inter-it, i cili zhvillohet në Katalonjë me fillim nga ora 21:00.

Barcelona dhe Inter-i janë takuar tashmë 16 herë në garat evropiane, me ekipin spanjoll që ka fituar saktësisht gjysmën e ndeshjeve (8 fitore, 5 barazime, 3 humbje). Megjithatë, katalanasit nuk kanë arritur të fitojnë dy ndeshjet e tyre më të fundit në fazën e grupeve të Champions League 2022-23 (0-1 jashtë fushe, 3-3 në shtëpi).

Kjo do të jetë vetëm hera e dytë që Barcelona dhe Inter-i takohen në fazat eliminatore të turneut, me të dyja skuadrat që arrijnë në gjysmëfinale. Takimi i mëparshëm daton që nga sezoni 2009-10 kur zikaltrit e Jose Mourinho-s eliminuan kampionët në fuqi me një rezultat të përgjithshëm 3-2 (3-1 në “San Siro”, 0-1 në “Camp Nou”).

Barcelona është e pamposhtur në gjashtë ndeshje në shtëpi kundër Inter-it në Champions League. Pesë fitoret kundër zikaltërve janë një rekord i barazuar nga klubi kundër një kundërshtari të vetëm në këtë garë (si kundër Milan-it), ndërsa e vetmja skuadër që ata e kanë pritur më shpesh në garë pa humbur është Chelsea (shtatë).

Katalanasit janë të pamposhtur në gjashtë ndeshjet e tyre në shtëpi në këtë Champions League (5 fitore, 1 barazim), duke shënuar 21 gola gjatë këtij procesi. Vetëm edicioni 1999-00 ishte më i frytshëm në shtëpi (29 gola në tetë ndeshje).

Barcelona nën drejtimin e Hansi Flick-ut ka një mesatare prej 3.1 golash për ndeshje në Champions League, e dyta më e lartë për një trajner që drejton një klub për të paktën 10 ndeshje në këtë garë, pas Bayern Munich-ut po të Hansi Flick-ut (3.2).

Në të njëjtën kohë, Inter-i mund të barazojë rekordin për më shumë ndeshje pa pësuar gol nga një skuadër italiane në një sezon të Champions League-s (aktualisht tetë), të mbajtur nga Milan-i në sezonin 2004-05 dhe Juventus-i në sezonin 2016-17 (të dyja nëntë).

Ndeshja e radhës do të jetë paraqitja e 50-të në Champions League për trajnerin e Inter-it, Simone Inzaghi, duke e bërë atë trajnerin e shtatë italian që arrin këtë moment historik; numri më i lartë për një komb të vetëm (aktualisht i barabartë me Spanjën me gjashtë trajnerë).

26 fitoret e Inzaghi-t janë tashmë numri më i lartë për një trajner italian në 50 ndeshjet e para në këtë garë (një më shumë se Marcello Lippi, 25).

Raphinha i Barcelona-s është përfshirë drejtpërdrejt në 26 gola në 24 paraqitje në Champions League (15 gola dhe 11 asiste). Vetëm dy lojtarë në historinë e këtij kompeticioni kanë bërë më mirë në 25 ndeshjet e tyre të para të luajtura: Erling Haaland (36) dhe Luis Suarez (28).

Lautaro Martinez ka shënuar në secilën nga pesë paraqitjet e tij të fundit për Inter-in në turne. Nëse ai shënon në këtë ndeshje, ai do të bëhej vetëm lojtari i dytë nga Amerika e Jugut që shënon në gjashtë ndeshje radhazi në këtë garë, pas Edinson Cavani-t (shtatë midis nëntorit 2016 dhe tetorit 2017).

Lojtarët e krahut të Barcelona-s, Lamine Yamal dhe Raphinha, kanë shënuar së bashku më shumë gola se çdo dyshe tjetër në turne këtë sezon (pesë) dhe gjithashtu kanë krijuar më shumë raste për njëri-tjetrin (16 – tetë secili). /Albanianpost.com

Read Previous

​Basketboll, përballjet e katërta të playoff-it garantojnë spektakël

Read Next

Instituti i Vjenës: Tarifat e Trump nuk do të ndikojnë në rritjen ekonomike të Shqipërisë