Kryetarja e partisë Unioni Social Demokrat, Duda Balje pas takimit që zhvilloi me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti tha se janë në faza takimesh dhe kanë parashtruar disa kërkesa të komunitetit boshnjak, raporton KosovaPress.
Balje tha se as nuk morën konfirmim nga Kurti, por as nuk kanë dhënë konfirmim. Ajo tha se takimin e ardhshëm nuk e kanë caktuar, derisa u shpreh se kanë takuar edhe partitë opozitare dhe se kërkesat janë të njëjta.
“Sot ne kemi pas takimin e parë. Dola para kryeministrit me disa kërkesa të cilat ne si boshnjak kemi, nuk kemi marrë asnjë konfirmim dhe nuk kemi jap asnjë konfirimim. D.m.th është takimi parë, jemi në fazën e bisedimeve asgjë më konrete…Për kërkesa fola disa herë, është komuna e boshnjakeve, është reforma në arsim, dhe tretmani i barabartë me gjithë deputetët të cilët kanë ka një votë brenda Kuvendit…Nuk kemi caktuar ende (takimin e radhës)”, tha Balje.
Ndërsa, tha se gjatë takimit i shtruan disa kërkesa të boshnjakëve, e që janë komuna e boshnjakëve, reformat në arsim dhe trajtimi i barabartë i çdo deputeti.
Video: “Kemi folë, ne jemi pjesë e Kuvendit, kemi drejtë me folë me secilin…Edhe ata do të shohin, (Kurti) do të mendojnë dhe jemi duke prit takimin e radhës…(Kushtet) janë të njëjta”, ka shtuar Balje.
Kurti sot takoi edhe Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme Albin Kurti ka bërë të ditur se ka filluar konsultimet me komunitetet jo shumicë për formimin e qeverisë së re. Ai tha të mërkurën se ka takuar kryetaren e Partisë së Re Demokratike (NDS) nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, si dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ku diskutuan mbi formimin e qeverisë së re.
Kujtojmë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, me 42.3 për qind. E dyta renditet, PDK me 20.95 për qind, pasuar nga LDK 18.27 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind. Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8, dhe komunitetet jo shumicë 20 ulëse të rezervuara.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së re, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Derisa nga ora 11:30 pritet edhe partia rome të zhvillojë takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. /KosovaPress/