Ekonomia gjermane u tkurr më shumë se sa pritej në tremujorin e katërt të 2024, pasi Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ra me 0,2%, tregojnë shifrat përfundimtare të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave.
Shifrat ishin një rishikim në rënie prej 0,1 pikë përqindjeje nga shifrat fillestare të publikuara nga agjencia në fillim të janarit.
Ndërkohë që shpenzimet nga konsumatorët privatë dhe nga qeveria u rritën, eksportet ishin dukshëm më të ulëta se në tremujorin e mëparshëm, sipas Entit të Statistikave.
Ekonomia e Gjermanisë, më e madhja në Evropë, është tkurrur për dy vjet rresht, shtrirja më e keqe e stagnimit për Gjermaninë në më shumë se dy dekada.
Për vitin e plotë 2024, PBB-ja gjermane gjithashtu ra me 0,2% krahasuar me një vit më parë.
Ekonomistët nuk presin një rritje të konsiderueshme në një kohë të afërt.
Qeveria gjermane ka ulur parashikimin e saj të rritjes për vitin 2025 në 0,3%, nga një parashikim i mëparshëm prej 1,1% disa muaj më parë.
Bundesbank dhe Këshilli Gjerman i Ekspertëve Ekonomikë po parashikojnë gjithashtu një rritje shumë modeste prej 0,2% dhe 0,4% respektivisht. /ATSH-DPA/