Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka nënshkruar një projekt-udhëzim për krijimin e një linje telefonike emergjente për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.
Lajmin e ka bërë të ditur Haxhiu përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Kam nënshkruar Projekt Udhëzimin për Linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore, për miratim në mbledhje të Qeverisë, i cili mundëson krijimin e një linje telefonike emergjente të specializuar, që ka si qëllim ofrimin e mbështetjes së menjëhershme dhe ndihmës për viktimat e dhunës”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se linja telefonike do të jetë mjet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për ndihmë ndaj viktimave të dhunës.
“Duke siguruar mbështetje të shpejtë, konfidenciale dhe të sigurt”.
Policia e Kosovës kishte bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2024 ishin raportuar mbi 2 mijë e 300 raste të dhunës në familje, shifër kjo që kishte shënuar për 6 për qind nga viti 2023.
Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.
Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë. /Albanianpost.com