Momenti është kthyer në bisedimet e paqes në Gaza dhe një marrëveshje është e mundur përpara inaugurimit të Donald Trump në janar, ka thënë kryeministri i Katarit.
Duke folur në forumin vjetor në Doha, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani tha se dy çështjet kryesore ishin nëse ekzistonte gatishmëria për të pasur një shkëmbim pengjesh të burgosurish dhe nëse ekzistonte një dëshirë për t’i dhënë fund luftës.
Ai theksoi se Katari ishte tërhequr nga roli i tij i ndërmjetësit disa muaj më parë, sepse disa vende po e shfrytëzonin procesin për arsye politike, por shtoi: “Kishte pasur shumë inkurajim për të siguruar një marrëveshje përpara se presidenti të vinte në detyrë, kështu që ne jemi duke u përpjekur për t’i kthyer gjërat në rrugën e duhur”.
Al Thani la të kuptohej se kishte marrë garanci nga këshilltarët e presidentit të zgjedhur amerikan për vendosmërinë e tyre për të arritur një zgjidhje të negociuar. Ai përmendi: “Ne kemi ndjerë pas zgjedhjeve se momenti po kthehet”.
Duke krahasuar qasjen e Trump me atë të Joe Biden, Al Thani nënvizoi: “Do të ketë disa dallime, por ne nuk pamë ndonjë mosmarrëveshje për qëllimin e përfundimit të luftës. Kjo ishte shumë e rëndësishme për ne që ta kuptonim”.
Ai tha se boshllëqet midis Hamasit dhe Izraelit nuk ishin thelbësore, por se ai po përpiqej të mbronte negociatat sepse në të kaluarën gjithçka ishte vënë në domenin publik, duke çuar në zhgënjim.
Kuptohet se mosmarrëveshjet midis Hamasit dhe Izraelit kryesisht sillen rreth asaj nëse Izraeli është i përgatitur të pranojë që një armëpushim pasqyron një fund të përhershëm të konfliktit dhe jo një pushim të përkohshëm në të cilin ka një shkëmbim të të burgosurve politikë palestinezë dhe pengjeve izraelite.
Kjo çështje i ka zgjatur bisedimet për muaj të tërë, por kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të ndiejë se opsionet e tij janë më të kufizuara nëse Trump këmbëngul se dëshiron që lufta të përfundojë. Izraeli ka heshtur për synimet e tij të ardhshme për administrimin e Gazës.
Duke iu referuar përhapjes së konfliktit, Al Thani tha: “Ne jemi përpjekur të paralajmërojmë të gjithë në botë se situata në Gaza do të zgjerohet”. /Albanianpost.com