Perëndimi të ndihmojë Kosovën për sulmet terroriste në Veri, thotë Knaus

Për drejtorin e Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus, komuniteti ndërkombëtar në Kosovë, i cili në vlerësimin e tij, është shumë aktive në terren se kudo tjetër në botë, duhet t’i ndihmojë institucionet kosovare për zbardhjen e rastit të sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.

“Ajo duhet të ndihmojë në përfundimin e këtij mosndëshkimi”, ka shkruar ai në platformën sociale në X, duke akuzuar në mënyrë të tërthortë Perëndimin se me mosndëshkimin e Serbisë po inkurajohet Beogradi zyrtar.

“Disa në komunitetin ndërkombëtar duket se mendojnë edhe tani se është më e rëndësishme të spekulohet se si një sulm i rëndë terrorist mund të ndikojë në zgjedhjet në Kosovë sesa kush e bëri këtë?”, ka shtuar ai.

Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar Serbinë për orkestrimin e këtij akti, i cili vlerësohet të jetë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës, krahas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit, në Veri të vendit, i cili ka cenuar paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor.

Serbia, nga ana tjetër, ka mohuar të ketë gisht në të dy rastet, duke theksuar se akuzat për pjesëmarrje në këto sulme janë të pabaza, ndonëse autoritetet kosovare kanë insistuar se kanë prova të mjaftueshme që implikojnë shtetin serb në sulmet e fundit./Albanianpost.com

Read Previous

Uji në kufirin e tensionuar: A mund t’ia ndërrojë Serbia kahun Ibrit?

Read Next

Nelson Mandela, hero – simbol i guximit, i bindjes dhe i vizionit