Lansohet digjitalizimi i fiskalizimit në Kosovë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, shefi i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros, si dhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, kanë lansuar digjitalizimin e fiskalizimit në Kosovë. Gjatë lansimit u tha se kjo iniciativë rritë efikasitetin e të ardhurave tatimore dhe qon në sistem të qëndrueshëm financiar, 

Ministri Hekuran Murati, tha se synimi i tyre si ministri ka qenë që arkat fiskale të shndërrohen në arka digjitale dhe të mundësohet përdorimi i atij sistemi në platforma të ndryshme.

“Bëhet fjalë për një projekt tepër të rëndësishëm dhe ndoshta revolucionar sa i përket asaj që synojmë të arrijmë. Synimi është që përmes digjitalizimit të fiskalizimit të bëjmë kapërcimin e radhës sa i preket teknologjisë, por edhe formalizmit të ekonomisë. Pra, ideja është që të krijohet një trekëndësh ku në maje të tij është sistemi digjital i fiskalizimit i cili do të jetë në Administratën Tatimore të Kosovës, njëra pikë do të jetë në pikat e shitjes ku softueri i shitjes mund të kyçet dhe të dërgojë informata në kohë reale sipas protokollit të përcaktuar, ndërsa pika tjetër do të jetë pika e konsumatorit, apo blerësit i cili do të bëjë verifikimin e kuponit fiskal i cili lëshohet”, theksoi Murati.

Sipas tij, ky projekt është bërë brenda institucionit dhe se kanë pasur edhe mbështetjen e UNDP-së.

Ndërsa, shefi i UNDP-së në Kosovë, Nuno Queiros tha se kjo iniciativë do të rezultojë me shumë efikasitet në transaksionet e bizneseve.

“Ministria e Financave ka marrë një veprim shumë të rëndësishëm në zhvillimin e një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të dizajnuar për të siguruar në kohë reale transaksionet dhe verifikimin e tyre. Kjo është e rëndësishme për të nxitur transparencën dhe pajtueshmërinë në transaksionet e bizneseve. Kjo iniciativë do të rezultojë me shumë efikasitet në transaksionet e bizneseve. Do të kontribuojë në nxitjen e besimit në mjedisin biznesor që promovon garë të drejtë dhe besim në investitorë që është kritike për Kosovën, e që rritë efikasitetin e të ardhurave tatimore dhe që qon në sistem të qëndrueshëm financiar”, theksoi Queiros.

Kurse, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, tha se me këtë projekt po shënojnë edhe një sukses të ri në Administratën Tatimore./rtklive

Read Previous

Gërvalla deklarohet e pafajshme për mosdeklarim të pasurisë

Read Next

Deschamps pritet ta telefonojë Mbappen për të diskutuar shiritin e kapitenit