143 vjet nga lindja e Pablo Picassos

Sot shënohet 143 vjetori i lindjes së piktorit Pablo Picasso.

Pablo Picasso u lind më 25 tetor 1881 në Málaga të Spanjës. Ai ishte piktor, skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet dhe dramaturg, publicist dhe kumtues. Kudo la gjurmë me sprova t’kurajshme dhe ndryshesa çapërluese e transformuese. Me ç’nuk i mbushi ai të 91 vitet e moshës, deri më 8 prill 1973 kur u shua.

Rreth 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e tij të jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë. “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë e krijimit dhe përjetimit.

Në punën e tij, çdo gjë përqendrohej te ndjeshmëria, te dëshira, forca dhe hapësira, që i veshi këtij dimensioni prej nga erdhi kumtimi krijues. Qëllimi i Pablo Picassos nuk ishte të argumentonte koherencën, por që të arrinte të ndiente nivelin më të lartë të ndjeshmërisë, forcën e shprehisë dhe formën e çartun të artikulimit. /KultPlus.com

Read Previous

Mangani ende me vlera të larta në ujin për pije nga Liqeni i Badocit

Read Next

Shkarkimi nga Arabia Saudite, Mancini: Këtu ka mungesë eksperience për futbollin e nivelit të lartë