Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë se Kosova është histori e dyfishtë suksesi i intervenimit të NATO-s që e ndali gjenocidin e Serbisë si dhe rritjes ekonomike të kombinuar me progres demokratik.
“Për të dy këto rrëfime të suksesit, në zemër të tyre i kemi ShBA-të, që ishin aleati, miku dhe partneri ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm, edhe për çlirim e pavarësim, por edhe për zhvillim e demokratizim. Andaj faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës me të cilat ne gjithnjë ndajmë vlera, interesa, parime dhe qëllime të përbashkëta”, tha Kurti, njofton zyra e tij për media.
Sipas njoftimit për media, të pranishmit që kishin shkuar për të mirëpritur delegacionin nga Qeveria i përshëndeti edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schëarz.
“Siç ka ditur mërgata jonë e çmuar të rreshtohet pas presidentit Rugova në luftën për liri dhe pavarësi, siç kemi ditur të kontribuojmë të gjithë së bashku në mbrojtën dhe çlirimin e vendit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe sot do të dimë të rreshtohemi pas institucioneve të Republikës së Kosovës të cilat garantojnë një përparim të republikës sonë, një të ardhme më të mirë dhe një luftë të vendosur për të vërtetën”, potencoi ajo.
Ndërkaq në fjalën e tij, kryetari i qytetit të Waterbury, Paul K. Pernereëski Jr., që numëron një komunitet prej 12 mijë shqiptarëve, tha se komuniteti shqiptar në Waterbury është ndër më të mëdhenjtë në Amerikë dhe se ata kontribuojnë çmueshëm në jetën shoqërore të qytetit. /Albanianpost.com