Në ditën kur shumica e aksioneve të Everton u blenë, Dan dhe Ryan Friedkin lëshuan një deklaratë zyrtare, duke shpjeguar largimin e Daniele De Rossi nga Roma, një veprim që shkaktoi përçarje me “Curva Sud” dhe dorëheqjen e mëvonshme të CEO-së, Lina Souloukou. Presidenca amerikane kërkoi të pajtohej me tifozët verdhekuq përmes një mesazhi publik:
“Ne kemi respekt të madh për Daniele-n dhe besojmë se ai do të ketë një karrierë të suksesshme si trajner. Ndoshta një ditë do të kthehet te Roma. Largimi i tij ishte një vendim shumë i vështirë, por e morëm me besimin se ishte rruga e duhur për të synuar trofe këtë sezon. Për ju, tifozë të jashtëzakonshëm, ne e njohim përgjegjësinë e madhe që na është besuar në drejtimin e këtij klubi historik. Besnikëria juaj e vazhdueshme është forca jonë. Ne vazhdojmë të punojmë për të ardhmen, i vlerësojmë mendimet tuaja dhe duam t’ju sigurojmë se i dëgjojmë ato.”
A do të mjaftojë ky mesazh për të rikthyer paqen pas stuhisë? Presidenca verdhekuqe synon pikërisht këtë: “Futbolli vlerësohet globalisht për bukurinë e tij unike. Çdo ndeshje është e mbushur me pasion, emocione dhe paparashikueshmëri, dhe kjo është arsyeja pse e duam. Por, përtej rezultateve në fushë, përgjegjësia jonë si pronarë të klubit është të marrim vendime të rëndësishme që besojmë se janë në interesin më të mirë të Romës, edhe kur janë tejet të vështira.”
Fushata e nënshkrimeve të verës shënoi fillimin e një projekti strategjik shumëvjeçar, i cili synon ta rikthejë Romën në majat e futbollit europian. Ndërtimi i një stadiumi të ri, një element kyç i këtij vizioni, është tashmë në zhvillim dhe do t’i bëjë nder historisë së pasur të klubit.
“Duam të theksojmë sërish: kemi respekt të thellë për Daniele-n dhe besojmë se ai do të ketë një karrierë të suksesshme si trajner. Ndarja prej tij ishte një vendim i vështirë, por e morëm me bindjen se është rruga e duhur për të synuar trofe këtë sezon.”
“Ne mbetemi investitorë aktivë në sport dhe e duam futbollin e bukur. Blerja e mundshme e Everton-it nuk e ndryshon aspak angazhimin tonë ndaj Romës. Përkundrazi, sinergjia mes klubeve mund t’i sjellë vetëm përfitime Romës. Çdo klub në portofolin tonë funksionon në mënyrë të pavarur, ndërsa Roma mbetet në qendër të ambicieve tona futbollistike.”
“Ju mund të jeni të sigurt se angazhimi ynë në kohë, burime dhe energji ndaj Romës nuk do të reduktohet. Qëllimi ynë është i qartë: ta shohim Romën të konkurrojë vazhdimisht në nivelet më të larta të futbollit europian. Ju, tifozë të jashtëzakonshëm, jeni shpirti i klubit. Objektivi ynë është t’ju bëjmë krenarë.” /Telesport.al/