Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Aivo Orav, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të martën, ka njoftuar për një bisedë telefonike që ka pasur me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Jeffrey Hovenier, ku në fokus ka qenë situata e sigurisë në Kosovë.
“Ne kemi diskutuar për situatën aktuale politike dhe të sigurisë dhe kemi rënë dakord të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë”, ka shkruar shkurt diplomati estonez pas bisedës, derisa ka shpërndarë edhe një fotografi nga një prej takimeve të mëhershme.
BE-ja dhe SHBA-ja pothuajse vazhdimisht e kanë qortuar Qeverinë e Kosovës për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar të territorit, pavarësisht justifikimit të zyrtarëve institucionalë se lëvizjet në veri të Kosovës janë në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit./Albanianpost.com