Paralajmërimi i Vuçiqit, Osmani: S’lejojmë kthim mbrapa, do të përballet me vendosmërinë tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet përherë shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe se ky është realitet i pakthyeshëm dhe i përhershëm, si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka deklaruar se nesër mund ta shpallë Kosovën “një territor të okupuar”.

Osmani ka thënë se çfarëdo që mund të synojë Vuçiq, do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të vendit dhe popullit, shkruan Reporteri.net.

Ajo ka theksuar se është me rëndësi bashkimi i forcave me aleatët për të parandaluar agjendat destabilizuese që shtynë Vuçiq.

“Assesi nuk do ta lejojmë. Çfarëdo që mund të synojë do të përballet me vendosmërinë e institucioneve të Kosovës dhe popullit të Kosovës sepse nuk ka kthim mbrapa. Nuk lejojmë kthim mbrapa…Është më rëndësi që t’i bashkojmë forcat me aleatët tanë në mënyrë që të parandalojmë çfarëdo agjende destabilizuese që e shtynë përpara Vuçiqi”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka thënë se shpreson që sa më parë miqtë e Kosovës në Evropë ta shohin fytyrën e vërtetë të Vuçiqit.

“Por, po shpresoj që këto fjalë të Vuçiqit të cilat tregojnë mendësinë e tij të vërtetë që është thjeshtë trashëgimi e Millosheviqit të dëgjohen nga bota mbarë, në veçanti nga disa të cilët po shpresojnë se ai “përderisa e mban lëkurën e qengjit, nuk është ujku brenda”. Por, në fakt është po i njëjti njeri që ka qenë Ministër i propagandës së Millosheviqit, që ka menduar vetëm si t’I sulmojë të tjerët, vetëm si shkatërrojë të tjerët. Kjo është logjika e vetme që mbizotëron në politikën e Serbisë për momentin dhe shpresoj që sa më parë ta shohin dhe ta pranojnë këtë realitet shumë nga miqtë tanë në Evropë, aq më parë dhe aq më shumë do të kontribuojnë për paqen afatgjate në rajonin tonë”, ka thënë Osmani në Klan Kosova.

Read Previous

Shpenzimet për transport të nxënësve, vështirë të përballueshme

Read Next

Ushtarët gjermanë të KFOR-it kryejnë trajnime për kontrollin e trazirave