Pas kritikave që mori Kosova për aksionin në veri, Haxhiu: Qeveria në vazhdimësi komunikon me partnerët e saj

Ndonëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian kritikuan Qeverinë e Kosovë për moskoordinim paraprak në raport me aksionin e Policisë së Kosovës, e cila të hënën mbylli gjashtë filiale të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në pjesën veriore të vendit të banuara me shumicë serbe, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ekzekutivi kosovar “në vazhdimësi komunikon me partnerët e saj”.

“Sigurisht që ne në vazhdimësi kemi komunikime me partnerët tanë dhe sigurisht që ne si Qeveri e Kosovës do të angazhohemi që përditë në Veriun e vendit tonë të këtë rend e rregull, të këtë veprim të ligjit të institucioneve dhe jo veprime ilegale sepse ju e keni parë që ato assesi nuk do të tolerohen”, ka thënë Haxhiu pas përfundimit të akademisë përkujtimore në 25-vjetorin e masakrës së Burgut të Dubravës.

Ajo madje tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë dhe të ndihmojë autoritetet kosovare në synimin e tyre për rend dhe ligj në tërë territorin e Kosovës.

“Ne si Qeveri mbështesim secilin aksion i cili është i ligjshëm siç ishte edhe aksioni i djeshëm, prandaj besoj që edhe miqtë e partnerët tanë, aksionet të cilat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi që kanë për qëllim shtrirjen e rendit dhe ligjit në çdo pjesë të territorit të Kosovës, duhet që t’i mbështesin dhe të na ndihmojnë në këtë përpjekje”, shtoi ajo.

Policia e Kosovës në një komunikatë mbi aksionin e zhvilluar të hënën në Veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, njoftoi se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të “vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë” në këtë zonë.

Për aksionin në fjalë të Policisë së Kosovës, të martën, ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

DASH-i i bëri thirrje Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). E veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, në bazë të deklaratës së DASH-it, minon perceptimet amerikane për angazhimin mirëbesues të Kosovës në procesin e dialogut.

“Ai minon perceptimin se Kosova vepron me mirëbesim për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, theksoi DASH-i.

Disa orë më vonë, në të njëjtën frymë, do të vinte edhe reagimi nga Britania e Madhe.

Përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, është thënë se janë të “shqetësuar” për mbylljen gjashtë filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, derisa kanë vlerësuar se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë”, theksoi ambasada britanike, derisa kërkoi nga Kosova që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, shtoi ambasada britanike.

Ndërkaq Bashkimi Evropian deklaroi nëpërmjet një komunikate për shtyp se është i shqetësuar për mbylljen nga Policia e Kosovës të gjashtë filialeve të “Bankës Kursimore të Postës” të Serbisë në Veri duke theksuar se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.

“Operacionet e së hënës dëshmojnë edhe një herë se autoritetet e Kosovës u japin prioritet veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara më shumë sesa bashkëpunimit me miqtë dhe aleatët në terren”, deklaroi në një komunikatë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.

Ndërkohë Serbia ngriti degë të improvizuara të kësaj banke, të destinuara për serbët nga Kosova, në afërsi të katër pikave kufitare muajin e kaluar./Albanianpost.com

Read Previous

20-vjeçarit i anulohet leja e vozitjes për të gjitha kategoritë

Read Next

Holanda nuk do të lejojë më birësimin e fëmijëve nga jashtë