Federata e Kick-boxit të Kosovës ka mbajtur një konferencë për media pas sukseseve të arritura në Kampionatin Mediteran si dhe në Kupën e Botës, të mbajtur në Stamboll të Turqisë.
Aty janë prezantuar të arriturat e garuesve në Kampionatin Mesdhetar si dhe në Kupën e Botës të mbajtur në Stamboll të Turqisë. Kryetari i kësaj federata, Fatmir Makolli tha se Kosova u kthye me pesë medalje nga këto dy garë, një sukses ky të cilin ai e ka quajtur të jashtëzakonshëm.
“Ne kemi marrë pjesë në Kampionatin Mesdhetar dhe në Kupën Botërore e cila është mbajtur në Stamboll të Turqisë ku në këtë garë kanë marrë pjesë mëse 52 shtete…Ne kemi marrë pjesë me 13 garues ku në mesin e këtyre garuesve ka qenë edhe një vajzë…Ne kemi fituar, jemi kthyer me pesë medalje prej këtyre garave, ku tri medalje i kemi pasur në Kampionatin Mesdhetar dhe dy medalje në Kupën Botërore. Në Kampionatin Mesdhetar medaljen e artë e ka fituar Rron Kasumi, vendin e dytë e ka marrë Omar Thaqi, vendin e tretë e ka marrë Gert Hyseni. Gjithashtu në Kupën Botërore i kemi marrë dy medalje, Donjeta Vengjiqi për seniore medaljen e bronztë dhe Fatlind Ejupi në Kupën Botërore i cili ka marrë pjesë në disiplinën Kick-Lite”, tha Makolli.
Ndërsa, trajneri i seniorëvë të Kick-Boksit, Ilir Mengjiqi, theksoi se është ndarë shumë i kënaqur me paraqitjet e garuesve dhe titujt e fituar atje.
“Unë si përzgjedhës i kombëtares për grupmoshat e seniorëve jam ndarë i kënaqur me paraqitjen e garuesve. Njëri prej garuesve që ndoshta nuk ishte fati i tij, por ka qenë me paraqitje shumë të mirë ishte Artur Mehmeti. Gjithashtu edhe të tjerët kanë pasur paraqitje të mira dhe suksesi besoj që u shpërblye në fund. Po përqendrohemi tani në garën e radhës që e kemi, Kampionatin Ballkanik, përgatitjet janë duke shkuar mirë dhe shpresoj që edhe atje do të kemi suksese”, theksoi Mengjiqi.
Edhe trajneri i juniorëve, Nysret Salihaj u shpreh shumë i lumtur me katër medalje e fituar nga garuesit e kësaj gjenerate në këto dy gara.
“Te juniorët kemi marrë pjesë me dy garues në ring, të tjerët garues kanë në tatami. Nga juniorët janë marrë katër medalje, medalja e artë e Rron Kasumit, medalja a argjendtë e Amar Thaçit dhe medalja e bronztë Fatlind Ejupi në Kampionatin Mediteran, kurse në Kupën Botërore ka marrë medalje Gent Hyseni”, bëri të ditur Salihaj.
Kryetari i kësaj federata, Fatmir Makolli tha në fund se sportistët e këtij sporti kanë nevojë për më shumë mbështetje financiare si dhe kushte më të mira infrastrukturore në mënyrë që të jenë më të suksesshme në garat e ardhshme ndërkombëtare./kp