Vetëm tre prokurorë janë të angazhuar për t’i hetuar rastet e krimeve të luftës dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Por, ky numër vlerësohet i pamjaftueshëm nga njohësit e drejtësisë. Ata thonë se numri duhet të rritet.
Në mungesë të prokurorëve, avokatët e shohin si mundësi edhe gjykimin në mungesë, e cila tashmë ekziston në Kodin e Procedurës Penale, ndërsa sfidë tjetër e shohin edhe mosbashkëpunimin me shtetin serb, raporton “Ekonomia Online”.
Avokati Ardian Bajraktari, thotë se ky proces është paksa kompleks, marrë parasysh se procesi ka qenë nën përgjegjësinë e autoriteteve ndërkombëtare. Kompleks këtë proces e sheh edhe mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë.
“Natyrisht se krimet e luftës janë komplekse në përgjithësi, por në rrethana të rastit tonë janë më tepër për faktin se për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore këto kanë qenë kompetencë, përgjegjësi e autoriteteve ndërkombëtare. Po ashtu komplekse bëhet edhe fakti se fqinjët verior nuk ka thuajse gatishmëri fare për të bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës për të vënë para përgjegjësie të gjithë ata qoftë urdhërdhënësit ose edhe ekzekutorët e krimeve të luftës, prandaj nuk ka gatishmëri thuajse fare. Atëherë alternativë mbetet çështja e gjykimit në mungesë tashmë me kodin e procedurë penale ekziston kjo mundësi por kërkohet angazhim shtesë, me theks të veçantë i prokurorisë. Sa i përket çështjes ë institucioneve në kuadër të policisë vitin e fundit 2023 kemi rritje te stafit të departamentit përkatës që merren me këtë çështje, ndërsa sa i përket prokurorisë natyrisht që departamenti aktual që merren me hetimet e krimeve të luftës ka një numër tejet të vogël, përkatësisht tre prokurorw që merren me këtë çështje. Natyrisht shpresoj që në një periudhë sa më të shkurtër ky numër të rritet pse jo edhe të dyfishohet”, tha Bajraktari./Koha.net