Hodaj: Pranuam 1 mijë 697 ankesa vitin e kaluar, rekomanduam suspendimin e 71 punonjësve policorë

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka deklaruar se gjatë vitit 2023 kanë rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme, kurse ndaj 74 pjestarëve u ngritën kallëzime penale.

Hodaj, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtje ka theksuar se gjatë vitit të kaluar kanë hetuar mbi 170 të dyshuar.

“Kemi hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policor dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta me zyrtarët policor. Kemi ngritur 74 kallëzime penale ndaj të dyshuarve, kemi arrestuar 35 punonjës dhe qytetarë. Kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme”, ka thënë Hodaj.

Ai vitin 2023 e ka vlerësuar si “të suksesshëm” në përmbushjen e mandateve të tyre.

“Lufta kundër korrupsion vazhdon që të jetë një ndër prioritete tona. Kemi arritur ta rrisim besueshmërinë tek qytetarët. Jemi angazhuar që të rrisim besimin qytetar në sistemin e trajtimit të ankesave”.

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj.

“Kemi pranuar 1697 ankesa gjatë vitit 2023, të pranuar nga qytetarët. 32 për qind të këtyre ankesave i kemi orientuar për hetim penal. Jemi angazhuar në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe keqmenaxhimit”.

Më 30 mars, Insepktoriati Policor i Kosovës (IPK), kishte suspenduar Blerim Kuqin dhe Flurim Pirkun – dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, kjo pasi që dyshohej se kishin tejkaluar autorizimet policore gjatë përdorimit të forcës.

Të dy këta zyrtarë policorë të suspenduar, pra Kuqi dhe Pirku, kanë qenë pjesëtarë të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në njoftimin e IPK-së, theksohej se vendimi për suspendimin e ish-pjesëtareve të UÇK-së ka ardhur pasi një informacioni që policia e ka marrë në Suharekë, pasi që dy policët kishin intervenuar në një incident në këtë qytet. /Albanianpost.com

Read Previous

Gjermania drejt rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Read Next

Bislimi udhëton drejt Hungarisë