“Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë përcaktues për fatin e Kosovës, ndaj ShBA-ja është në ADN-në e suksesit të shtetit tonë”, ka thënë Vjosa Osmani.
Këto komente, Presidentja e Kosovës i ka bërë në eventin qendror me rastin e 20-vjetorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në prag të Samitit ShBA-Afrikë.
Në këtë event, pjesëmarrës ka qenë edhe ish-Presidenti i ShBA-ve, George W. Bush, i cili është edhe themelues i MCC-së.
“Fola për shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, me ç’rast rikonfirmova rolin e pakontestueshëm të SHBA-ve për lirinë dhe shtetndërtimin”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Në të njëjtën frymë sot, e para vendit potencoi se MCC-ja po e vazhdon këtë trashëgimi duke ofruar mbështetje të çmueshme për zhvillimin ekonomik e të qëndrueshëm të Kosovës “duke e bërë vendin tonë pjesë të pandashme të sukseseve, të cilat i përfaqëson ShBA-ja kudo në botë”.
Ndërsa, të hënën Osmani, e cila ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e shënimit të 20-vjetorit të MCC-së, i organizuar në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë në Dallas të Teksasit, ka thënë se mbështetja e MCC-së për Kosovën shërben si një katalizator për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve.
“Partneriteti ndërmjet Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Republikës së Kosovës ka qenë një rrugëtim transformues, duke sjellë përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës dhe ekonominë e saj, si dhe duke shënuar një kapitull të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe”, tha Osmani, ka njoftuar zyra e saj për media.
“Investimet nga MCC-ja nuk janë vetëm investime në infrastrukturë dhe ekonomi, por investim në të ardhmen e Kosovës, për popullin dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve”, potencoi ajo.
Sipas presidentes, programet MCC-së në praktikë ndihmuan në transformimin e jetëve, ridizajnimin e politikave dhe rivendosjen e lidhjes ndërmjet sektorit të energjisë dhe ekonomisë. /Albanianpost.com