Franca i ofron Rusisë “bashkëpunim” pas masakrës në Moskë.
Këtë e ka bërë të ditur presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas të cilit ka pasur një ofertë “për shërbimet ruse, por edhe për partnerët tanë në rajon, për një bashkëpunim më të madh, duke marrë parasysh informacionin që kanë shërbimet tona dhe elementët që mund të jenë të dobishëm për rusët”.
Udhëheqësi francez njoftoi se grupi i Shtetit Islamik Khorasan është përpjekur të sulmojë Francën disa herë gjatë muajve të fundit.
Sipas Macron, dega e grupit terrorist që mori përgjegjësinë për masakrën në Moskë bëri “disa përpjekje” për të goditur Alpet.
Prej disa orësh Franca është rikthyer në gatishmërinë maksimale për sulme, sipas asaj që doli nga mbledhja e Këshillit të Mbrojtjes dje në Elysee.
Kërcënimi i ISIS K merret shumë seriozisht.
Franca u përmend në mënyrë eksplicite në disa komunikime nga organizata terroriste dhe, sipas asaj që ka shpjeguar tani kreu i shtetit, inteligjenca ka penguar disa sulme në territorin francez.
Javën e kaluar, dhjetëra shkolla të mesme franceze, midis rajonit të Parisit dhe veriut të vendit, morën mesazhe që lajmëronin një sulm të afërt.
Një tekst me imazhe të prerjeve të kokës ishte përhapur pas një sulmi në platformën e shkollave, duke detyruar autoritetet franceze të pezullonin sistemin e brendshëm të IT.
Lidhur me akuzat që Vladimir Putin i drejtoi Ukrainës pas masakrës, Macron komentoi: Do të ishte cinike dhe kundërproduktive për vetë Rusinë dhe për sigurinë e qytetarëve të saj që të përdorin këtë kontekst për ta kthyer atë kundër Ukrainës.
“Duhet të shmangim çdo shfrytëzim apo shtrembërim, por të jemi kërkues dhe efektivë”, vazhdoi lideri francez, me të mbërritur në Guajana, ku nis një udhëtim që do ta çojë edhe në Brazil./AlbanianPost.com