Kryeministri Albin Kurti 25-vjetorin e padisë së Aleksandër Vuçiqit kundër Haqif e Haki Mulliqit, e ka kujtuar si ngjarje që shpërfaqte ndalimin e fjalës së lirë, e cila vazhdon edhe sot.
Kurti ka thënë se ministri i sistemit të Millosheviqit për Informim, Aleksandër Vuçiq më 12 mars 1999 kur kishte bërë padinë kundër revistës “Kombi” për shkelje të Ligjit të tij diskriminues mbi informimin publik, vendimi i gjykatës imponohej të shpallej brenda 24 orësh.
“Padia e tij gjyqësore ndaj vëllezërve Haqif e Haki Mulliqi ishte zyrtarizim i kërcënimit të tij publik ndaj shqiptarëve. Ndalohej fjala e lirë dhe zëri i shqiptarëve për liri, represioni i ushtruar ndër vite e dekada kulmoi me gjenocidin dhe spastrimin etnik gjatë viteve 1998-99”, ka shkruar Kurti.
Tutje ai ka thënë se shtypja e fjalës së lirë vazhdon edhe sot dhe se nuk është rastësor fakti që Serbia, në raportin vjetor të organizatës për lirinë në botë, “Freedom House”, ka rënien më të madhe në Evropë në kategorinë e të drejtave politike dhe lirive të qytetarëve.
“Informimi i lirë dhe i drejtë në ato vite përbente krim për ministrin e atëhershëm të informimit, Vuçiq. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë vazhdoi të mohohet edhe për dy dekada e gjysmë në vazhdim. Si president i Serbisë, Vuçiq më 5 dhjetor 2019 mohoi publikisht krimet e masakrat ndaj shqiptarëve, duke e cilësuar masakrën e Reçakut si fabrikim”, ka shkruar Kurti. /RTK/