Lajçaku aktivizohet për “muajt e ardhshëm” të dialogut

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka dhënë sinjale paralajmëruese për hapat që do të bëhen në këtë proces “në muajt e ardhshëm”.

Në një shkrim në Twitter ai ka njoftuar se është takuar të enjten në Romë me Fabrizio Saggion, këshilltarin e kryeministres Giorgia Meloni, dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme së Italisë, Carlo Lo Cascio.

“Shumë i lumtur që isha në Romë sot. Pata diskutime të rëndësishme me këshilltarin e kryeministres Meloni, Fabrizio Saggio dhe zëvendëssekretarin e përgjithshëm të MPJ-së së Italisë, Carlo Lo Cascio, për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun për normalizim të raporteve në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.

Ka qenë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, që në urimin e 16-vjetorit të shtetësisë së Kosovës shprehu i pari pritjen që javët e ardhshme të jenë përcaktuese në dialog, duke përfshirë zbatimin e të gjitha pikave të Marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas kësaj deklarate, njohës të zhvillimeve kanë paralajmëruar “pranverë vendimtare”.

Takim të nivelit të lartë të dialogut nuk ka pasur që nga shtatori, pak ditë para sulmit terrorist në Banjskë në Zveçan.

E të enjten, zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar se Kosovës dhe Serbisë u është dërguar letra me të cilën janë ftuar të shkojnë në Bruksel që në kuadër të dialogut të diskutojnë për zgjidhjen për të tejkaluar problemet të cilat, sipas BE-së, janë shkaktuar me vendime të njëanshme dhe të pa koordinuara të Kosovës. Ky takim është thirrur për 27 shkurt. Por, Stano ka thënë se letra e emisarit Miroslav Lajçak nuk përcakton se kush duhet të vijë në takim, sepse kjo u është lënë vetë palëve që të vendosin. Stano në këtë mënyrë i është përgjigjur kritikave dhe akuzave që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i kishte drejtuar ndaj Lajçakut, duke e akuzuar se ai po i shkel parimet që vetë i ka caktuar e sipas së cilave asnjë temë në dialog nuk mund të vendoset në agjendë pa pajtimin paraprakë të dy palëve./koha.net/

Read Previous

Aksident zinxhiror në autostradë, përplasen 100 automjete

Read Next

Shqipëria ndalon importin e bagëtive dhe shpendëve nga disa vende, shkak sëmundjet