Dvorak: Çekia gjithnjë do të jetë përkrah Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, ka thënë se i është konfirmuar mbështetja e shtetit të Çekisë.

Takimi është zhvilluar në objektin e presidencës dhe mediat janë lejuar që të marrin pamje në fillim të takimit.

Pas përfundimit të takimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se “Çekia gjithnjë do të jetë përkrah Kosovës”.

“Përkrahja për liberalizimin e vizave, për anëtarësim në BE, NATO e në organizata të tjera ndërkombëtare, dëshmojnë se Çekia është aleate e palëkundur e Kosovës”.

Ndërsa, përmes një komunikate për media nga Zyra e Presidencës është thënë se në fokus të diskutimit ka qenë situata aktuale politike, e sigurisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe stabiliteti rajonal.

“Osmani, nënvizoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim,  përfshirjen në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në NATO, BE dhe organizata ndërkombëtare”.

Po ashtu, Osmani ka shprehur rëndësinë që Kosova të anëtarësohet edhe në organizata të tjera.

“Osmani potencoi rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në PfP, e më pas në NATO, si një garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Ndërlidhur më këtë, Presidentja Osmani, gjithashtu tha se Kosova meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE, si vend që ka realizuar reforma rrënjësore”.

Ndërsa, ministri u njoftua edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjë.

“Në takim me ministrin Dvořák, Presidentja Osmani theksoi se sulmi terrorist dhe agresioni i 24 shtatorit në Banjskë, i mbështetur dhe sponzorizuar nga Serbia ishte përpjekje për ta minuar paqen dhe stabilitetin, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

Tutje, Presidentja Osmani theksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog.

Duke spikatur marrëdhëniet e kahershme pozitive ndërmjet Kosovës dhe Republikës Çeke, të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri për Çështje Evropiane i Republikës Çeke, Martin Dvorak.

Dvorak, kishte punuar për 20 vjet në Kosovë.

Pas këtij takimi, ministri çek do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Pas përfundimit të takimeve bilaterale, Bislimi dhe Dvorak do të mbajnë një konferencë për media.

Ai të martën në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, është pritur nga ministrja e Jashtme, Liza Gashi.

“Kosova është një nga vendet që synon integrimin në Bashkimin Evropian. Unë vetë kam punuar këtu më shumë se njëzet vjet më parë si administrator i dy komunave në shërbimet e OKB-së”.

Ai ka deklaruar se kthimi i tij në Kosovë, është bërë me një rol të ri dhe mezi pres të takoj krerët e Kosovës. /Albanianpost.com

Read Previous

Gjatë 24 orëve të fundit janë ngritur 37 aktakuza kundër 48 personave

Read Next

​Bislimi: Procesi i dialogut duhet të ndahet nga procesi i integrimit në BE