Shqipëri – Rendi dhe siguria në vitin 2023, Balla bën bilancin: 35 vrasje kriminale, 67 u parandaluan

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në konferencë për median ka bërë bilancin e vitit 2023.

Ai nënvizoi se ka një rënie të numrit të vrasjeve kriminale. 35 vrasje u shënuan në 2023 ndërkohë që në 2013 ka pasur 107 vrasje. Ndërkohë, sipas tij janë parandaluar nga policia 67 ngjarje të rënda kriminale.

Ministri njoftoi se në këto momente është drejt përfundimit faza e parë e hartimit të ligjit në policinë e shtetit.

Balla është i bindur se ky ligj do i japë fund monopolit të strukturës drejtuese.

“Ndryshimet mund ti përmbledhja dinamizim, energjizim i trupës së policisë së shtetit dhe përmirësim të karrierës së policisë. Duhet ti japim mundësinë çdo punonjësi të policisë të bëjë karrierë. Ti japim fund monopolizimin të strukturës drejtuese brenda policisë së shtetit” tha Balla.

Ky i fundit u ndal dhe te sektori i turizmit.

Balla u shpreh se gjatë vitit 2023, 10.155.640 shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë, ndërsa shtoi se MB po përgatitet për sezonin e ardhshëm.

“Lajmi më i bukur i vitit që mbyllëm nuk ishte vetëm shifra 10.155.640 shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë, por çertifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurueshme dhe siguri mbresëlënëse.

Ai foli edhe për konfiskimet, ku u shpreh se për 9 objektet e para të konfiskuara, në buxhetin e shtetit janë shtuar 10 mln euro.

“Ndajmë të gjithë të njëjtin vlerësim se Shqipëria sot është një vend, të cilit i është pastruar imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumë vjeçare për sigurinë. Siguria publike gjatë 2023 ishte test që na ka certifikuar si një destinacion i sigurtë turistik dhe në këtë fazë dua të ndaj me ju disa të dhëna nga policia kufitare”.

“Kemi regjistruar në hyrje dhe dalje plot 33.7 milionë shtetas ose rreth 5.2 milionë shtetas më shumë se 2022 në pikat e kalimit kufitar. Janë regjistruar në hyrje dalje 9.1 milionë automjete dhe krahasuar me 2022 janë 900 mijë automjete më shumë. Gjatë punës së policisë kufitare, janë goditur rreth 87 raste të mosdeklarimit të të hollave me 2.6 milionë euro të konfiskuara, janë goditur 58 raste kontrabande dhe 10 raste të trafikimit të mjeteve motorike. Dua të them edhe faktin se policia në bashkëpunim me prokurorinë kanë goditur 154 raste të trafikimit të paligjshëm”.

Balla u ndal dhe te rasti i 21 janarit. Ai bëri me dije se pas dy ditësh do të niset për ekspertim në Itali predha e cila i mori jetën Aleks Nikës në protestën e 21 janarit të vitit 2011.

Balla tha me tej se vendimi i Strasburgut hap rrugë të re që hetimet të shkojnë deri në fund.

“Është në detyrën e institucioneve shtetërore e agjencive, policisë, prokurorisë së Tiranës që ka dosjen, për shkak se vrasja e dy prej katër viktimave është konsideruar pa autor, ju e dini që dosja nuk mbyllet dhe s’ka parashkrim, prokuroria i ka të gjitha mundësitë të vijojë duke përkthyer vendimin e GJEDNJ që është i detyrueshëm, që është urdhërues, ne e kemi përkthyer dhe e kemji gati, për të bërë hetimin e plotë, ku vendoset theksi te zinxhiri komandues dhe hapat që ndërmorën organet shtetëtrore për pengimin e drejtësisë”.

/albanianpost/

Read Previous

Zhdukja e Ervis Martinajt, Balla: Kemi shumë informacione, janë sekrete

Read Next

Balla: Po bëjmë përpjekje për të ekstraduar Dritan Rexhepin