Lucas Mandl, deputeti austriak nga radhët e Partisë Popullore Evropiane (EEP), në një intervistë për portalin zviceran “Albinfo” në gjuhën shqipe, ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa fëmijët serbë duhet të mësojnë në shkollë për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
“Serbia duhet ta njohë Kosovën. Fëmijët serbë duhet të mësojnë për krimet e luftës në shkolla. Traumat në të dy vendet duhetë kapërcehen. Nevojitet punë aktive drejt paqes. Serbia duhet të kuptojë se ka një të ardhme të mirë nëse bashkëpunon me fqinjët e saj në vend që t’i ngacmojë ata vazhdimisht”.
Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e të vrarëve gjatë luftës së fundit.
E duke folur për liberalizimin e vizave, pas më shumë se një dekade pritjeje, eurodeputeti austriak ka theksuar se kosovarët nuk kanë arsye të festojnë, sepse, sipas tij, heqja e regjimit të vizave nuk është një dhuratë, por meritë e Qeverisë së Kosovës sa i përket reformave dhe përmbushjes së kritereve.
“Nuk ka asnjë arsye për të festuar. Sepse liria e vizave vjen me një vonesë të gjatë. Kriteret janë plotësuar shtatë vjet më parë. Dhe Kosova duhej të përmbushte më shumë kritere se shtetet tjera. Qytetarët e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë kohë që udhëtojnë pa viza”.
Qytetarët e Kosovës, duke filluar nga 1 janari 2024 do të mund të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE) pa viza për qëndrime afatshkurtëra, duke përmbyllur një proces normal për vendet tjera të rajonit, por një odiseadë për shtetin më të ri të kontinentit evropian. /Albanianpost.com