Maqedonci takohet me ambasadorin e Austrisë, diskutojnë për situatën e sigurisë dhe përparimet e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është takuar me ambasadorin e Austrisë në Kosovë, George Schnetzer, i cili është informuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe avancimin që e ka bërë Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Takimin e ka bërë të ditur Maqedonci përmes një shkrikmi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ambasadorin e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Austria i ka ofruar Kosovës në fusha të ndryshme, ekonomi, arsim e po ashtu në siguri e mbrojtje si pjesë e trupave të KFOR-it”, ka shkruar ai.

“E njoftova për situatën e sigurisë në vend dhe gjithashtu përparimet që FSK ka arritur në implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit”.

Ndërsa, ka theksuar se janë dakorduar për të vazhduar bashkëpunimin mes dy vendeve.

“U dakorduam për të vazhduar bashkëpunimin dhe thellimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve, me qëllim përmbushjen e synimit për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe mbrojtjes së vlerave perëndimore”.

Maqedonci, të premten është takuar edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë, Marjan Sarec, me të cilin ka biseduar rreth situatës së sigurisë në vend, por edhe më gjerë.

Ministri ka thënë se në këtë takim ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit është shqetësues “për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim që tregon hapur tendencën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht të Ballkanit Perëndimor”.

Në fund ai theksoi se e kaluara e përbashkët dhe qëndrimi pro vlerave perëndimore janë lidhja e pashkëputshme ndërmjet dy shteteve tona. /Albanianpost.com

Read Previous

Ura mbi lumin Erenik që lidh rrugën “Bujar Roka” dhe Shkugëzën afër finalizimit

Read Next

Barcelona rrezikon përjashtimin nga Liga e Kampionëve