Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë takimit me Ambasadorin e Republikës së Turqisë, Tunç Angili deklaroi se Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë e përkushtuar në realizimin e “sigurimeve shëndetësore për qytetarët”, premtim ky i bërë që nga viti 2004 nga secili pushtet.
Vitia ka thënë se për realizimin e këtij procesi janë ndërmarrë veprime konkrete.
“Temë diskutimi ishte edhe çështja e sigurimeve shëndetësore, ndërsa Ministri Vitia tha se Qeveria është e përkushtuar në përmbushjen e kësaj objektive dhe se ka ndërmarrë veprime konkrete”.
“Në funksion të këtij qëllimi, ai e njoftoi ambasadorin turk për fazën finale të studimit të fizibilitetit të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) i cili do të mundësojë orientimin strategjik dhe do të jetë përcaktues për zhvillimin e sistemit shëndetësor në të ardhmen”, ka thënë Vitia, thuhet në komunikatë.
Vitia është thënë se e ka njoftuar ambasadorin për angazhimin institucional për ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe investimet infrastrukturore të cilat do të ndikojnë në lehtësimin e marrjes së shërbimeve nga qytetarët.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për shfrytëzimin racional të kapaciteteve spitalore me qëllim të përmbushjes së nevojave për qytetarët”.
“Në kuadër të reformimit të sistemit shëndetësor jemi duke vënë në binarët e duhur aspektin legjislativ i cili është bazë për një shëndetësi moderne për brezat e ardhshëm. Gjithashtu, paralelisht jemi duke investuar në infrastrukturë si dhe duke bërë harmonizimin dhe strukturimin e kapaciteteve ekzistuese”.
Ligji për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, mirëpo deri tani asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi, pasi që ishte tërhequr.
Zbatimit të ligjit, ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajsh, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet).
Duke mos pasur sigurim shëndetësor edhe te qytetarët është krijuar një kulturë e funksionimit ndryshe në raport me shëndetësinë.
Ministria e Shëndetësisë, më herët, pati shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ligji për siguri shëndetësore, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajnë edhe punëdhënësit.
Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurosh për anëtar të familjes.
Mbledhja e fondeve për ligjin e sigurimeve shëndetësore ishte paralajmëruar të nis që nga 1 korriku i vitit 2017.
Atë kohë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës. Prej atëherë çështja ka mbetur pezull.
/albanianspost/