Frontex: Ulen kalimet e parregullta të emigrantëve në Ballkanin Perëndimor

Frontex-i ka përditësuar të premten e 11 gushtit shifrën e kalimeve të parregullta kufitare në kufijtë e jashtëm të BE-së, e cila u rrit 13 për qind në shtatë muajt e parë të vitit 2023 në 176 mijë e 100.

Ky është totali më i lartë për periudhën janar-korrik që nga viti 2016, sipas llogaritjeve paraprake.

Lajmi u bë i ditur nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, duke cituar njoftimin për shtyp.

Rritja u ndikua tërësisht nga numri i mbërritjeve përmes Mesdheut Qendror, e cila mbetet rruga kryesore e migracionit në BE dhe përbën më shumë se gjysmën e të gjitha zbulimeve në kufijtë e BE-së.

Numri i kalimeve të parregullta në këtë itinerar është më shumë se dyfishuar (+115 për qind).

Gjatë periudhës janar-korrik, rruga e Ballkanit Perëndimor, rruga e dytë më aktive me më shumë se 52 mijë e 200 zbulime, pësoi një rënie prej 26 për qind, kryesisht për shkak të politikave më të shtrënguara të vizave.

Gati 2 mijë e 800 oficerë të trupave të përhershme dhe stafi i Frontex janë të përfshirë në operacione të ndryshme që mbështesin shtetet anëtare dhe vendet fqinje në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së dhe luftimin e krimit.

Në korrik, pati afro 42 mijë e 700 zbulime të kalimeve të parregullta kufitare në kufijtë e jashtëm të BE-së, 19 për qind më shumë nga viti në vit.

Rruga e Mesdheut Qendror përbën gjysmën e kalimeve të parregullta në BE deri më tani këtë vit.

Mesdheu Qendror mbetet rruga më aktive për në BE këtë vit, me mbi 89 mijë zbulime të raportuara nga autoritetet kombëtare në shtatë muajin e parë të 2023.

Ky është totali më i lartë në këtë rrugë për këtë periudhë që nga viti 2017.

Rritja e presionit migrator në këtë rrugë mund të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm me kontrabandistët që ofrojnë çmime më të ulëta për migrantët që nisen nga Libia dhe Tunizia në mes të konkurrencës së ashpër midis grupeve kriminale, vëren Frontex-i.

Mbërritjet në të gjitha rrugët e tjera migratore panë rënie nga një vit më parë, duke filluar nga 2 për qind në Mesdheun Perëndimor deri në 29 për qind në rrugën e Mesdheut Lindor.

Fatkeqësisht, kalimet detare mbeten jashtëzakonisht të rrezikshme.

Sipas të dhënave të IOM-it, më shumë se 2 mijë e 60 njerëz u zhdukën në Mesdhe vetëm në korrik, me shumicën dërrmuese në rrugën e Mesdheut Qendror.

Numri i kalimeve të parregullta në Kanalin Anglez drejt Britanisë në korrik ishte afër 5 mijë e 500, duke e çuar totalin për shtatë muajt e parë të 2023-it në pothuajse 27 mijë e 300.

Kjo është afërsisht në përputhje me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shqipëria

Kur në korrik të vitit 2022 shifrat u publikuan, se kalimet e jashtëligjshme nga rruga e Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Evropian, shumëkush filloi të ngrinte alarmin se duhej vepruar.

Asokohe, në krahasim me vitin paraardhës, rastet e emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët kishin zgjedhur rrugën ballkanike, ishin trefishuar, duke e bërë edhe më të rrahurën për personat që vinin ilegalisht nga Azia.

E njëjta gjë u vërtetua edhe gjatë gushtit 2022, kur shifrat e publikuara nga Agjencia Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve dhe Bregdetit, nxirrnin në pah faktin se si kjo rrugë ballkanike, ishte kthyer në më të frekuentuarën gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, nga emigrantët e jashtëligjshëm.

Shifra e tyre, kishte kapur 70 mijë e 770 persona, duke shënuar edhe rritjen më të madhe, me 205%. Kjo, në një kohë kur rruga përmes Evropës lindore apo asaj Mesdhetare, pësonin rënie me rreth 30% përkatësisht.

Pavarësisht këtij fakti, në muajin gusht, shtetet anëtare të BE-së dhe Frontex thanë se puna e bërë nga Shqipëria dhe partnerët e tjerë, ishte e kënaqshme.

Në fakt, Shqipëria dhe Serbia, ndër vendet e rajonit, mbanin edhe peshën kryesore të kalimeve të jashtëligjshme.

Po ashtu, dy vendet kanë qenë edhe të parat, të cilat kanë firmosur marrëveshje me Frontex, më 1 maj 2021, për bashkëpunim.

Mirëpo këto marrëveshje, përtej rezultateve, duheshin thelluar dhe kjo gjë, u arrit vetëm më 18 nëntor.

Në një kohë të tillë, edhe raportet e Komisionit Evropian lidhur me çështjen, kanë qenë të tilla, ku në shifra, gjatë 2022-shit, ka pasur 86 mijë e 581 kalime.

Shumica e tyre, përmes itinerarit Shqipëri-Mal i Zi-Serbi, por me shtete kryesore të shkelura, Shqipërinë dhe Serbinë. /Albanianpost.com

Read Previous

Zbulohet portieri favorit për t’u transferuar te Real Madridi pas lëndimit të Courtois

Read Next

Biden: Situata në Kinë është një “bombë me sahat”